'Ky më ka vrarë djalin'/ Vrasja e Santiago Malkos, tension në GJKKO, shtyhet shpallja e vendimit
I akuzuari për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, Ilir Selmani, është paraqitur sërish këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme të Apelit (GJKKO), nën masa të rrepta sigurie.
Seanca gjyqësore është shoqëruar me tension, ndërsa pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka njoftuar se vendimi do të shpallet më 17 korrik.
Gjatë procesit, Selmani ka deklaruar pafajësinë e tij, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjen e rëndë. “Deklaroj që jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje”, mësohet të jetë shprehur ai. Selmani ka akuzuar gjithashtu prokurorin për manipulim të dosjes, duke e cilësuar atë të korruptuar.
Ndërkohë, në sallën e gjyqit ka reaguar edhe nëna e viktimës, e cila ka kërkuar dënimin e Selmanit. “Ky më ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj dhe nxirreni jashtë këtë”, është shprehur ajo.
Ndryshimi i masës së sigurisë ndaj Selmanit nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” është bërë pasi kanë përfunduar afatet ligjore të paraburgimit.