GJKKO kthen për hetime të mëtejshme dosjen e Elvis Roshit, SPAK duhet të saktësojë akuzën
Gjykata e Posaçme ka kthyer sërish në SPAK për hetime të mëtejshme dosjen ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Gjyqtarja e posaçme Rudina Palloj, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të saktësojë akuzën e ngritur ndaj Roshit. Më herët, gjykata i kishte dhënë mundësi prokurorit që të rregullonte mënyrën e formulimit të akuzës.
Avokati mbrojtës Andi Skënderi pretendoi se gjetjet e prokurorisë, kohëzgjatja e hetimeve dhe mënyra e finalizimit të akuzës nuk janë në përputhje me afatet procedurale.
Gjykata ende nuk ka bërë publike arsyetimin e plotë të vendimit dhe detyrat konkrete që i ka lënë SPAK-ut, të cilat pritet t’u komunikohen palëve pas zbardhjes së vendimit.
Elvis Roshi akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me dy procedura tenderimi të zhvilluara në vitin 2014, njëra prej të cilave për pastrimin e qytetit të Kavajës. Sipas hetimeve, abuzimet janë evidentuar edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku është konstatuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh.