Vala e të nxehtit në Francë, zjarri masiv përfshin pyllin pranë Parisit, digjen 800 hektarë
Dy avionë zjarrfikës janë dërguar me urgjencë në rajonin e Parisit për të luftuar një zjarr të madh pyjor në jug të kryeqytetit francez.
Zjarri në pyllin e Fontainebleau, i përshkruar nga zyrtarët si "i fuqishëm" dhe me "përmasa të jashtëzakonshme", ka shkaktuar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug të vendit, duke penguar trafikun gjatë fundjavës së parë të madhe të pushimeve verore.
Të hënën herët, zyrtarët thanë se zjarri kishte përfshirë 800 hektarë dhe vazhdonte të përhapej në pyllin që ndodhet rreth 60 kilometra në juglindje të qytetit të Parisit.
Rajoni i Parisit po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, gjatë një vere në të cilën temperaturat rekord janë regjistruar në disa vende të Evropës.
Ishte hera e parë që avionë zjarrfikës ishin dërguar nga jugu i vendit, i cili zakonisht është më i thatë dhe më i nxehtë, për të luftuar zjarret në rajonin e Parisit, tha Eric Brocardi nga Federata Kombëtare e Zjarrfikësve të Francës.
Sipas Agence-France-Presse, ai shtoi se ishin vendosur gjithashtu dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi.
"Qëllimi është të shpëtojmë jetë dhe banesa”, është shprehur ai.
Më herët, një zjarr kishte bllokuar gjithashtu një autostradë që shtrihet në lindje të Parisit dhe kishte ndërprerë një linjë treni me shpejtësi të lartë drejt jugut të Francës.
Udhëtarët po përballeshin me vonesa deri në gjashtë orë për trenat që mbërrinin ose niseshin nga stacioni Gare de Lyon në Paris, njoftoi kompania franceze hekurudhore SNCF të dielën në mbrëmje.
Vala e fundit e të nxehtit në Francë ka detyruar mbylljen e përkohshme të tre centraleve bërthamore.
Organizatorët e garës çiklistike Tour de France gjithashtu shkurtuan etapën e së dielës me 30 kilometra, ndërsa temperaturat iu afruan 40°C.
Temperaturat rekord në të gjithë Evropën këtë verë kanë shkaktuar zjarre të mëdha pyjore, veçanërisht në Spanjë, ku të paktën 13 persona u vranë nga zjarri i së enjtes në Almeria, një nga zjarret më vdekjeprurëse në historinë e vendit.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, një zjarr i madh pyjor në veri të Uellsit u shpall një incident madhor nga shërbimet e emergjencës të dielën, ndërsa zjarrfikësit po përballeshin me zjarre në të gjithë Anglinë dhe Uellsin.