Argjentina rikthen fanellën blu ndaj Anglisë, një ogur i mirë nga historia e Botërorit
Argjentina do të zbresë në fushë me fanellën e saj të dytë, atë blu, në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 kundër Anglisë. Vendimi është konfirmuar nga FIFA dhe ka ngjallur entuziazëm te kampionët në fuqi, të cilët e konsiderojnë këtë fanellë si një simbol fati në përballjet historike me anglezët.
Sfida e së mërkurës mes Anglisë dhe Argjentinës është një nga klasikët më të mëdhenj të futbollit botëror. Harry Kane dhe Lionel Messi do të luftojnë për një vend në finalen e Kupës së Botës, por kujtimet e shumë tifozëve kthehen te 22 qershori i vitit 1986, kur dy kombëtaret u përballën në çerekfinalet e Botërorit në stadiumin "Azteca" të Meksikës.
Ajo ndeshje hyri në histori falë Diego Armando Maradonës, i cili shënoi dy gola legjendarë: të famshmin "Dora e Zotit" dhe golin e konsideruar nga shumë si më i bukuri në historinë e Kupës së Botës.
Plot 40 vjet më vonë, Argjentina shpreson të përsërisë historinë edhe përmes një detaji simbolik. Për shkak të rregullave të FIFA-s, Anglia, e konsideruar skuadra pritëse në këtë përballje, kishte të drejtën të zgjidhte fanellën dhe do të luajë me uniformën tradicionale të bardhë. Kjo ka bërë që Argjentina të përdorë fanellën e dytë blu, njësoj si në suksesin historik të vitit 1986.
Fanella blu u ka sjellë fat argjentinasve edhe në një tjetër duel të paharrueshëm me Anglinë. Në Botërorin e vitit 1998, në fazën e 1/8-ave, ndeshja përfundoi 2-2 pas kohës së rregullt, ndërsa Argjentina siguroi kualifikimin pas ekzekutimit të penalltive, sërish e veshur me fanellën blu.
Tashmë, skuadra e Lionel Messit shpreson që historia të përsëritet edhe në Botërorin 2026, duke e kthyer këtë uniformë në një tjetër ogur të mirë në rrugën drejt finales.