Beckham, ‘mbreti’ i Botërorit: nga tribuna te reklamat, ikona angleze pushton Amerikën

David Beckham po përjeton një tjetër moment të artë në Shtetet e Bashkuara. Ish-kapiteni legjendar i Anglisë është një nga figurat më të spikatura të Botërorit 2026, duke qenë i pranishëm pothuajse në çdo ndeshje të rëndësishme, ndërsa popullariteti i tij në Amerikë vazhdon të rritet.

Beckham, bashkëpronar i Inter Miamit, konsiderohet si një nga njerëzit që kanë ndihmuar më shumë në rritjen e futbollit në SHBA. Pikërisht ai ishte njeriu që solli Lionel Messin në Florida, duke i dhënë një tjetër shtysë zhvillimit të këtij sporti në vend.

Gjatë Botërorit, 51-vjeçari ka ndjekur nga afër ndeshjet e Shteteve të Bashkuara dhe të Anglisë. Pas fitores së "Tre Luanëve" ndaj Norvegjisë në Miami, Beckham u bë protagonist edhe në tribuna, ku këndoi me pasion këngën "Wonderwall" të grupit Oasis, e cila është kthyer tashmë në himnin jozyrtar të kombëtares angleze. Më herët, i shoqëruar nga bashkëshortja Victoria Beckham, ai këndoi edhe himnin britanik "God Save the King".

Ish-futbollisti ishte gjithashtu i pranishëm në stërvitjen e Anglisë para çerekfinales ndaj Norvegjisë, së bashku me djalin e tij Romeo. Pas suksesit të anglezëve, Beckham shkroi në rrjetet sociale: "Çfarë momenti përjetuam! Jam shumë i lumtur që e ndava këtë emocion me familjen time. Faleminderit Angli që i dhurove vendit tonë një ndjenjë të tillë."

Përtej futbollit, Beckham është shndërruar në një ikonë të marketingut në SHBA. Ai është një nga personazhet më të kërkuara nga kompanitë amerikane dhe shfaqet në një numër të madh reklamash televizive, duke promovuar produkte të ndryshme, nga kafeja e mëngjesit dhe ushqimet, te veshjet, automobilat, birra, produktet për shtëpinë dhe dyshekët luksozë.

Në rrjetet sociale, Beckham numëron afro 90 milionë ndjekës, ndërsa në SHBA ai shihet si një markë globale dhe një prej figurave publike më të dashura. Shumë amerikanë mund të mos e njohin për goditjet e tij të famshme të dënimit apo krosimet perfekte, por e njohin si një personalitet karizmatik që ka ndikuar ndjeshëm në popullarizimin e futbollit.

Në Botërorin e organizuar në Amerikën e Veriut, David Beckham nuk është vetëm një tifoz i Anglisë. Ai është një nga imazhet më të fuqishme të turneut dhe një simbol i lidhjes gjithnjë e më të fortë mes futbollit dhe tregut amerikan.