Alarm për shëndetin riprodhues të meshkujve

Shëndeti riprodhues i meshkujve mund të jetë duke hyrë në një periudhë kritike, si pasojë e nivelit mesatar të testosteronit, sipas studimit më të fundit.

“Është tronditëse që testosteroni ka rënë me 50%. Kjo është e tepërt. Zgjohuni, njerëz. Zgjohuni!”, deklaroi për The Guardian profesori Hagai Levine, drejtues i studimit.

Kujdes të shtuar tregon profesori Alan Pacey, specialist i andrologjisë në Universitetin e Mançesterit, i cilo shprehet se “Ekziston prirja për të përzgjedhur vetëm të dhënat që mbështesin pikëpamjen tonë. Për ata që besojnë se bota po shkon drejt katastrofës, rënia e testosteronit dhe e numrit të spermatozoideve duket logjike”.

Për Pacey, analizat më të fundit nuk janë prova të mjaftueshme si tregues të rënies së konsiderueshme të numrit të spermatozoideve, por ai nuk mohon se cilësia e spermës duket se është përkeqësuar.

“Besoj se infertiliteti mashkullor është një problem? Po. Por ulja e numrit të spermatozoideve nuk është ajo që më shqetëson më shumë”, tha Pacey.

Obeziteti dhe diabeti, faktorë kryesorë

Ka një dakordësi mes shekncetarëve, se shëndeti riprodhues mashkullor lidhet ngushtë dhe me gjendjen e tyre shëndetësore të përgjithshme. Për ata, ndikues kryesore duket se janë obeziteti dhe diabeti. Rritja e këtyre dy të fundit, mund të shpjegojë një pjesë të mirë të rënies së testosteronit.

“Ka ndodhur një ndryshim i thellë në shëndetin metabolik të popullsisë”, tha profesori Channa Jayasena nga Imperial College London.

Sipas studimeve, yndyra e tepërt trupore përshpejton shndërrimin e testosteronit në estrogjen dhe ndërhyn në sinjalet hormonale që kontrollojnë prodhimin e tij. Një analizë tregon se çdo rritje me një njësi e indeksit të masës trupore (BMI) lidhet me rreth 2% ulje të testosteronit, çka mund të ndikojë edhe në prodhimin e spermës.

Diabeti, nga ana tjetër, shoqërohet me nivele më të ulëta të testosteronit, dëmtime të ADN-së së spermatozoideve dhe mosfunksionim erektil.

Përvec këtyre, studiuesit po shqyrtojnë mundësinë se fertiliteti mashkullor ndikohet dhe nga ndotja e mjedisit apo mikroplastikat. Por pavarësish lidhjeve që mund të jenë gjetur në disa studime mbi këtë çështje, ende nuk ka prova përfundimtare që provon këtë hipotezë dhe nevojitën më shumë kërkime.

Në rrjetet sociale shpesh promovohen terapi me testosteron për rritjen e performancës seksuale apo “optimizimin” hormonal. Ekspertët theksojnë përdorimi i tyre pa mbikëqyrjen mjekësore të nevojshme mund të sjellë pasoja në fertilitet.

Shpresë nga teknologjitë e reja

Pavarësisht shqetësimeve, studiuesit mbeten optimistë se përparimet shkencore do të përmirësojnë trajtimin e infertilitetit mashkullor.

Ndër teknologjitë më premtuese janë sistemet mikrofluidike, të cilat ndihmojnë në përzgjedhjen e spermatozoidit më të shëndetshëm për procedurat e fertilizimit in vitro.

Po studiohen gjithashtu metoda për vlerësimin më të saktë të dëmtimit të ADN-së së spermatozoideve, si edhe teknologji eksperimentale që synojnë prodhimin e spermës në laborator nga qelizat staminale.

Megjithatë, shumë ekspertë bëjnë thirrje që të shmanget alarmizmi.

“Nuk shqetësohem se njerëzimi do të zhduket së shpejti. Nuk besoj parashikimet se numri i spermatozoideve do të bjerë në zero brenda 20 apo 30 viteve. Rënia e lindshmërisë lidhet edhe me shumë faktorë të tjerë shoqërorë dhe ekonomikë, jo vetëm me fertilitetin mashkullor”, tha profesori Rod Mitchell nga Universiteti i Edinburgut.