‘Sudoku’ në sulmin e Barcelonës, Deco përballet me vendime të rëndësishme

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, po kalon një nga periudhat më intensive të merkatos, teksa duhet të ndërtojë sulmin e skuadrës së Hansi Flick për sezonin e ri. Mes afrimeve të reja dhe ofertave për largimin e disa prej yjeve, klubi katalanas ndodhet përballë një "sudoku" të vërtetë.

Barcelona ka siguruar tashmë transferimin e anglezit Anthony Gordon, ndërsa zyrtarizimi i Karim Adeyemit dhe belgut Jesse Bisiwu konsiderohet vetëm çështje kohe. Në të njëjtën kohë, katalanasit vazhdojnë të kenë si objektiv kryesor sulmuesin argjentinas Julián Álvarez, i cili shihet si pasardhësi ideal i Robert Lewandowski-t.

Megjithatë, puna e Decos nuk kufizohet vetëm te afrimet. Barcelona duhet të menaxhojë edhe interesimin e madh për dy sulmuesit Ferran Torres dhe Raphinha.

Ferran Torres, i cili aktualisht është i angazhuar me Spanjën në Botërorin 2026, ka kontratë deri në vitin 2027, por ende nuk ka rinovuar. Situata e tij ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, me Paris Saint-Germain të Luis Enriques që kryeson listën e të interesuarve.

Edhe pse largimi i tij nuk është i sigurt, Barcelona nuk ka ndërmend ta shesë për më pak se 50 milionë euro. Ndërkohë, sipas mediave angleze, nëse Ferran rinovon kontratën, klubi katalanas do t'i paguajë Manchester City-t një shumë shtesë prej 7-8 milionë eurosh, sipas klauzolave të marrëveshjes së transferimit.

Në skenë mbetet edhe Atletico Madridi. Diego Simeone e vlerëson prej kohësh Ferran Torresin dhe Barcelona nuk e përjashton mundësinë që ai të përdoret si pjesë e një shkëmbimi për të ulur koston e transferimit të Julián Álvarez.

Në rast se Ferran largohet, drejtuesit katalanas do të kërkojnë një tjetër sulmues. Mes emrave të përfolur janë Dusan Vlahoviç, i cili po i afrohet fundit të kontratës me Juventusin, si dhe sulmuesi shqiptar Asllani i Hoffenheimit. Ky i fundit raportohet se është pranë Borussia Dortmundit, por preferenca e tij mbetet një transferim te Barcelona.

Edhe e ardhmja e Raphinhas mbetet e paqartë. Braziliani vazhdon të tundohet nga oferta shumë e pasur e Al-Hilalit, që është gati t'i shumëfishojë pagën dhe të paguajë një shumë të konsiderueshme për kartonin e tij. Megjithatë, njerëzit pranë lojtarit bëjnë të ditur se dëshira e tij është të vazhdojë karrierën te Barcelona, edhe pse mediet braziliane raportojnë se oferta nga Arabia Saudite vjen në një moment delikat për situatën e tij financiare.

Merkatoja e Barcelonës pritet të mbetet e nxehtë edhe në javët e ardhshme, me Deco-n që duhet të balancojë afrimet dhe largimet për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ri.