Zyrtare/ Slaven Bilic rikthehet në stolin e Kroacisë, pason Zlatko Dalic-in

Federata Kroate e Futbollit ka zyrtarizuar emërimin e Slaven Biliv si trajnerin e ri të kombëtares, duke shënuar rikthimin e tij në këtë detyrë pas 14 vitesh. Lajmi u bë publik këtë të hënë gjatë një konference për shtyp në Zagreb.

57-vjeçari zëvendëson Zlatko Dalic-in, i cili largohet pas nëntë vitesh në krye të përfaqësueses kroate. Fundi i aventurës së Dalic-it erdhi pas eliminimit të Kroacisë në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026, ku u mposht 2-1 nga Portugalia.

Në fjalët e para si trajner i ri i kombëtares, Bilic u shpreh optimist për sfidën që e pret.

“Kam besim të plotë te lojtarët tanë dhe është përgjegjësia ime të sjell energji, ambicie dhe vendosmëri për të siguruar që Kroacia të mbetet mes elitës së futbollit botëror. Jam shumë i lumtur që nis këtë sfidë dhe ndihem plotësisht i përgatitur. Sot jam një trajner më i pjekur dhe më me përvojë sesa në vitin 2006, por kam të njëjtin motivim dhe dëshirë për ta parë Kroacinë të fortë, të guximshme dhe të suksesshme”, deklaroi ai.

Për Bilic-in ky është një rikthim në një post që e ka mbajtur edhe më parë. Ai drejtoi kombëtaren kroate nga viti 2006 deri në vitin 2012, periudhë gjatë së cilës arriti suksesin më të madh me kualifikimin në çerekfinalet e Euro 2008.

Karriera e tij si trajner nisi në vitin 2001 tek Hajduk Split, përpara se të merrte drejtimin e kombëtares U-21 të Kroacisë. Më pas ai ndërtoi një karrierë të pasur edhe në futbollin e klubeve, ndërsa tani rikthehet për të udhëhequr sërish kombëtaren.

Një nga temat kryesore që pritet të diskutohet në ditët në vijim është edhe e ardhmja e Luka Modric-it. Sipas deklaratave të fundit të Bilic-it, mosha nuk do të jetë pengesë dhe ai dëshiron të vazhdojë të llogarisë në shërbimet e kapitenit legjendar të Kroacisë.