Bllokohet trageti Durrës–Bari, pasagjerët dhe automjetet prej 6 orësh në pritje
Dhjetëra pasagjerë, drejtues kamionësh dhe automjetesh kanë mbetur të bllokuar prej më shumë se 6 orësh në tragetin e linjës Durrës–Bari, pasi mjeti lundrues nuk ka mundur të përfundojë procedurat e zbarkimit në portin italian.
Sipas informacioneve, trageti ka mbërritur në portin e Barit rreth orës 08:00 të mëngjesit, por pasagjerët dhe automjetet vijojnë të qëndrojnë në bord, pa mundur të zbresin.
Burime bëjnë me dije se situata lidhet me një problem teknik, ndërsa për zgjidhjen e tij pritet mbërritja e specialistëve nga Napoli. Për pasojë, bllokimi pritet të zgjasë edhe për disa orë të tjera.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga kompania e lundrimit mbi natyrën e defektit apo kohën e saktë kur do të rifillojë normalisht procesi i zbarkimit të pasagjerëve dhe mjeteve.