Miliona eurot e Ramës për West shokuan botën, por jo SPAK-un!

Nga Petrit Vasili/

Pagesa skandaloze prej 4.3 milionë eurosh e Ramës për koncertin e Kanye West ka lënë pa gojë mbarë opinionin botëror.

Sa e paligjshme, aq edhe absurde, kjo pagesë gjendet në titujt kryesorë të mediave më të mëdha të globit.

E kryer vetëm në funksion të pazareve të Edi Ramës, kjo pagesë ka përdorur fondin e emergjencës së qeverisë, pa pasur as më të voglën emergjencë.

Financimi nga Rama i një sipërmarrjeje tërësisht private, si koncerti i West, nuk kishte asnjë lidhje me ndonjë objektiv politik të Shqipërisë apo me imazhin e saj.

Përkundrazi, mbështetja e Ramës dhe e qeverisë për një artist si West, koncertet e të cilit janë refuzuar nga shumë vende për shkak të prirjeve të tij naziskine dhe antisemite, e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Pra, nuk kishte asnjë motiv për ta mbështetur financiarisht nga qeveria, sepse një koncert i tillë vetëm e dëmton dhe nuk e përmirëson imazhin e Shqipërisë.

I papranueshëm dhe i pafalshëm, si ligjërisht ashtu edhe moralisht, është qëndrimi i SPAK-ut.

SPAK-u, që kërkon qimen dhe shpik procese nga më të ndryshmet për opozitën, bazuar mbi thashetheme rrugësh dhe shpifje, qëndron gojëkyçur dhe nuk lëviz gishtin përballë një paligjshmërie që ulërin, siç është pagesa prej 4.3 milionë eurosh.

SPAK-u e ka kthyer institucionin në një kioskë private dhe jo në një institucion zbatues të rreptë të ligjit, duke vendosur në mënyrë abuzive kë do të përndjekë, qoftë edhe pa të drejtë, dhe kujt do t'i japë alibi të plotë, siç është rasti i Edi Ramës.

Pagesa prej 4.3 milionë eurosh është një dhunim i hapur i ligjit dhe fajtori ka emër e mbiemër: Edi Rama.

E gjithë bota është në këmbë, deri në Amerikë, për këtë skandal, por SPAK-u vazhdon të heshtë, kur duhej të ishte në zyrën e kryeministrit për të hetuar.

Kjo pagesë nuk do t'i shpëtojë kurrë hetimit, por atëherë, bashkë me Ramën, si abuzues i ligjit, do të përgjigjet edhe SPAK-u dhe do të mbajë përgjegjësi të rëndë për mosveprimet e tij të qëllimshme.

Koha po afron dhe është shumë afër...