'Mali me plehra' në Fushë-Krujë, Kalaja publikon pamjet: Jemi në nivel epidemie, institucionet heshtin
Aulon Kalaja ka publikuar pamje skandaloze nga Fushë-Kruja, ku denoncon një situatë të rëndë me grumbullimin e mbetjeve në zonën e Kodër-Dollakës, pranë fshatit Halil dhe kalasë së lashtë të Zgërdheshit.
Sipas Kalasë, ajo që dikur mund të ishte një zonë me potencial të lartë turistik është kthyer në një “mal me plehra”, si pasojë e mungesës së menaxhimit dhe neglizhencës institucionale.
“Ndodhem në malin me plehra në Fushë-Krujë, në një nga zonat më të rëndësishme historike të Shqipërisë, pranë Albanopolisit, nga ku kemi marrë edhe emrin Albania. Ky është simboli i korrupsionit dhe i dështimit të menaxhimit të mbetjeve”, deklaron Kalaja.
Ai akuzon institucionet përgjegjëse se kanë lejuar krijimin e një situate alarmante mjedisore, duke pretenduar se zona nuk funksionon si landfill dhe nuk plotëson standardet e kërkuara për trajtimin e mbetjeve.
“Nuk është landfill, nuk është incenerator. Është një vend grumbullimi mbetjesh, ku askush nuk mban përgjegjësi dhe ku po dëmtohet një nga zonat më të bukura të Krujës”, shprehet ai.
Kalaja ngre shqetësimin se mbetjet po hidhen pranë një zone me vlera historike dhe natyrore, ndërsa sipas tij, ndotja rrezikon edhe burimet ujore dhe tokat bujqësore përreth.
“Pas shpinës time është liqeni i Zagraçës, një pasuri që mund të ishte kthyer në pikë turistike. Por vetëm pak metra më tutje, ajo që shohim është një mal me plehra”, thotë Kalaja.
Në denoncimin e tij, ai akuzon Bashkinë Krujë për mosndërhyrje dhe kërkon pastrimin urgjent të zonës.
“Kjo është një situatë që kërkon përgjigje menjëherë. Nuk mund t’u flasim qytetarëve për turizëm dhe zhvillim, ndërsa pranë zonave historike krijohen male me mbetje”, deklaron ai.
Denoncimi:
Katastrofë mjedisore, jemi në nivel epidemie. Kështu nuk hyjmë dot as në Bashkimin Afrikan. Ju përshëndes të gjithëve. Ndodhem në malin me plehra, në Fushë-Krujë, më konkretisht në fshatin Halil ose ndryshe Albanopolis, kalaja e Zgërdheshit nga ku ne kemi marrë emrin Albania, vetëm disa metra prej këtu. Ky mal, i cili është ngritur në mënyrë artificiale dhe përbëhet jo nga gurë dhe shkëmbinj, por nga plehra, është sot simboli i korrupsionit dhe i asaj që quhet ulja e moshës së kancerit në 15 vjeç. Këtë nuk e them unë, por e thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndodhem në Kodër-Dollake, në një kodër që nuk quhet më e tillë, por quhet kodra e plehrave. Shikoni në anën e majtë time, pra duhet të jetë tek këtu mes plehrave, ndodhet një liqen i mrekullueshëm ku mund të ishte kthyer në një pikë atraksioni turistik. Por jo, ky vend është bërë male e kodra me plehra për të kuptuar mënyrën e babëzisë. Nuk kemi leje mjedisore. Nuk është një landfill. Nuk është një incenerator.
Është një vend faktikisht grumbullimi, që nuk dihet se në ç'mënyrë të paligjshme dhe gllabëruese ja ka bërë këtij vendi që nuk i ka asnjë borxh për t'ulur cilësinë e jetës. Fshati Halil dhe shtëpitë rreth e qark këtij mali me plehra, kanë kohë e kohë që nuk hapin dritaret. Sidomos në muajt e verës ku avujt e plehrave ngrihen dhe për ta është e paimagjinueshme dhe e pamundur për të fjetur gjumë. Unë mendoj që ky vend duhet pastruar një orë e më përpara. Bashkia e Krujës ka përgjegjësinë kryesore për këtë katastrofë mjedisore, jemi në nivel epidemie. Kjo katastrofë mjedisore duhet të marrë njëherë e përgjithmonë përgjigjen e duhur. Fushë-Kruja, një qytet i ndotur nga fabrikat e çimentos, fabrikat e tullave, sikur mos mjaftonin vetëm këto, ja ku i kemi përgjigjen kryesore dhe kini parasysh diçka: Ky mal me plehra, i cili shtypet e shtypet nga eskavatorët dhe nga makinat që hedhin këtu plehra, ndot edhe ujin e liqenit apo të mbjellat që ka kjo zonë.
Të nderuar miq, që situata të bëhet akoma më e besueshme, unë sot kam marrë një dron me vete që është ky këtu, dhe do të shikojmë panoramimin 360 gradë të malit me plehra që është ulur këmbëkryq në Fushë-Krujë dhe Bashkinë e Krujës. Droni do të lëvizë tani dhe do të filmojë. Është e paimagjinueshme se si banorët jetojnë në këto lloj formash dhe kërkojnë pastaj përgjigje për sëmundjet e kancerit që ndodhin pafund e pafund në zonën tonë. Pra jemi në një nga zonat më të mrekullueshme të Shqipërisë, në zemrën e Shqipërisë. Pas shpinës time është qyteti i Krujës dhe kalaja e Krujës që duket këtu, pra është vargmali i Skënderbeut. Më poshtë, 500 metra nga këtu, kemi pikërisht kalanë e Albanopolisit, të famshme nga ku ne njihemi ndërkombëtarisht me emrin Albania. Këtu kemi rrugën kryesore dhe shikoni pallatet e Fushë-Krujës.
Këtu kemi liqenin e Zagraçës, që do të ishte një pikë turistike. Dhe këtu, poshtë këmbëve të mia, kemi malin e madh të plehrave. Këtu nuk bëhet fjalë për ndarje të mbetjeve në burim. Këtu bëhet fjalë për mbetje edhe organike. Shikoni këtu këto brirë lope të cilat janë hedhur këtu, kjo koka e lopës që është këtu, pra mbetje të cilat janë infeksion dhe shkojnë dhe janë shëtitëse nëpër shtëpitë tona. Pra, edhe dyer të prishura, shapka, goma makine siç e shikoni këtu, pra shikojeni, dhe mbeturina të tjera. Kjo është sëmundje dhe kjo është ulur këmbëkryq në Fushë-Krujë dhe në Krujë. Shikoheni këtë lloj forme, jo vetëm që nuk hyjmë në Bashkimin Europian dhe nuk plotësojmë standardet, por kështu nuk hyjmë dot as në Bashkimin Afrikan. Kjo do të ishte Kruja dhe Fushë-Kruja që ne duhet t'i ofronim turistëve. Jemi pra tek liqeni i Zagraçës në Kodër-Dollake, kjo pamje fantastike e denjë për t'u krahasuar me Austrinë apo me Zvicrën, kjo duhet të ishte pamja.
Ndërkohë, shikoni çfarë i ofrojmë neve turistëve vetëm një metër më tutje: Ky është mali me plehra. Pra, turistët do t'i ftojmë te ky mal me plehra apo te ai liqen që po ndotet çdo ditë dhe ky mal me plehra që do të mbulojë liqenin e Zagraçës? Zgjidhjen e merrni, do të zgjidhni plehrat apo do të zgjidhni liqenin? Apeli im nga Zgërdheshi, nga Kodër-Dollakja këtu ku ndodhem, vëreni dorë për këto plehra. Kam parë letrat dhe këtu nuk ka as leje mjedisore, as asgjë tjetër. Kam marrë vesh dhe që bashki të tjera marrin plehrat dhe i sjellin këtu, ndërkohë që Bashkia e Krujës dhe e Fushë-Krujës do të duhej që t'i digjte plehrat dhe t'i magazinonte ato diku tjetër, jo në këtë vend që është një nga mrekullitë më të bukura të Bashkisë Krujë, siç është edhe liqeni që shikoni pas shpinës time.