Alarm për salmonelë në Greqi, mbi 20 të infektuar/ Frekuentonin restorante që kishin një furnizues të përbashkët

Një alarm shëndetësor është ngritur në qytetin e Lamias në Greqi, pasi dhjetëra raste të dyshuara me salmonelë janë regjistruar brenda pak ditësh, duke vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore të vendit.

Sipas raportimeve të mediave greke, nga 10 deri më 13 korrik, më shumë se 20 persona iu drejtuan Urgjencës së Spitalit të Lamias me simptoma tipike të salmonelës, si diarre, të vjella dhe temperaturë. Nga këta, 12 pacientë u shtruan në spital për monitorim dhe trajtim të mëtejshëm në Klinikën e Patologjisë dhe në repartin e shtrimit afatshkurtër.

Burime spitalore bëjnë të ditur se numri real i të prekurve mund të jetë edhe më i lartë, pasi disa persona zgjodhën të trajtoheshin në shtëpi, pas konsultave me mjekë privatë.

Hetimi epidemiologjik ka zbuluar se të gjithë pacientët kishin konsumuar ushqim në restorante të ndryshme të qytetit. Ky fakt ka bërë që autoritetet të përjashtojnë mundësinë e një restoranti të vetëm si burim i infektimit dhe të përqendrojnë hetimet te një furnizues i përbashkët i lëndëve të para, me dyshimet kryesore që bien mbi mishin e pulës së kontaminuar.

Menjëherë pasi analizat laboratorike konfirmuan një mostër pozitive për bakterin e salmonelës, administrata e Spitalit të Lamias njoftoi Organizatën Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë (EODY).

Pas njoftimit, EODY mobilizoi Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Mirëqenies Sociale të Fthiotidës. Inspektorët shëndetësorë kanë nisur kontrolle në bizneset e përfshira dhe po marrin mostra ushqimore për të identifikuar burimin e kontaminimit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.