Nis leximi i konkluzioneve, SPAK jep pretencën për nënën e Monika Kryemadhit dhe të pandehurit e tjerë

Fraksioni i dosjes “Meta” ka hyrë në fazën e konkluzioneve përfundimtare në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Në seancën e radhës, SPAK ka nisur paraqitjen e qëndrimit përfundimtar për të pandehurit që po gjykohen me procedurë të shkurtuar.

Në këtë proces janë të pandehur Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, ndërsa çështja po shqyrtohet nga GJKKO sipas procedurës së shkurtuar.

Gjatë seancës, gjykata ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit për t’u tërhequr nga gjykimi i shkurtuar dhe për bashkimin e çështjes së saj me procesin ku janë të përfshirë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Pas këtij vendimi, procedura ndaj saj vijon më vete në kuadër të fraksionit të dosjes “Meta”.

Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa Pirro Xhixho është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur në GJKKO pretencën përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

Pirro Xhixhon, SPAK e ka akuzuar si fajtor për veprën e korrupsionit të kryer në bashkëpunim dhe ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 3 vite burg. Për shkak të moshës dhe rrethanave familjare prokuroria ka kërkuar të konvertohen në 4 vite shërbim prove.

Ndërkohë, për Fatime Kryemadhin, SPAK ka kërkuar 7 vite e 6 muaj burg. Si rezultat i gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 5 vite burg, ndërsa prokuroria ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të tij dhe konvertimin në 5 vite shërbim prove për shkak të moshës. Po ashtu SPAK ka kërkuar konfiskimin e shtëpisë së Fatime Kryemadhit.

Për të pandehurën Ema Çoku, SPAK ka kërkuar që ajo të shpallet fajtore për veprën penale të pastrimit të parave dhe të dënohet me 7 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 4 vite e 8 muaj burg. SPAK ka kërkuar që dënimi të konvertohet në 5 vite shërbim prove për shkak të rrethanave familjare.

Të tre të pandehurit e dosjes janë të akuzuar edhe Monika Kryemadhi dhe ish-presidenti Ilir Meta, ky i arrestuar prej 21 tetorit 2024.

Për Kryemadhin dhe Metën, procesi po zhvillohet me procedurë të zakonshme.