Joe Cole ndez sfidën me Argjentinën: Do ta vëmë Messin në gjumë

Legjenda e futbollit anglez, Joe Cole, ka ndezur atmosferën para gjysmëfinales së Botërorit 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës, duke shfaqur një besim të madh përpara përballjes me kampionët e botës dhe yllin e tyre Lionel Messi.

Ish-futbollisti i Liverpoolit, i cili sot është komentator sportiv, foli për sfidën e madhe në podcastin “The Rest is Football”, ku nuk i kurseu deklaratat e forta ndaj kundërshtarit të radhës të “Tre Luanëve”.

Duke iu referuar faktit se Messi do të luajë për herë të parë në karrierën e tij ndaj Anglisë, Joe Cole u shpreh me tone provokuese:

“Është hera e parë që Messi do të luajë kundër Anglisë? Atëherë duhet ta vëmë në gjumë. Do ta vëmë në gjumë”, deklaroi ish-sulmuesi anglez.

Vetëbesimi i Cole nuk u ndal vetëm te përballja me yllin argjentinas. Ai parashikoi gjithashtu se Anglia do të arrijë në finalen e Kupës së Botës.

“Po e them që tani, ne do të shkojmë në finalen e Botërorit. Kemi shumë shpejtësi për Argjentinën dhe do t’i mposhtim. E ndiej në kocka”, shtoi ai.

Anglia dhe Argjentina do të përballen të mërkurën në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, në një ndeshje që mbart jo vetëm rivalitetin sportiv, por edhe një histori të gjatë përplasjesh mes dy kombëtareve. Sfida pritet të jetë një nga momentet më të mëdha të turneut, me Lionel Messin që kërkon një tjetër finale botërore dhe Anglinë që synon të rikthehet te trofeu për herë të parë që prej vitit 1966.