Shorti i Superiores, dy supersfida në javën e parë: kampionët e nisin sezonin në shtëpi
Është hedhur shorti për kalendarin e sezonit të ri të Abissnet Superiores. Edicioni i 88-të i elitës së futbollit shqiptar do të nisë më 22 gusht dhe do të sjellë që në javën e parë dy përballje interesante, ndërsa kampionët do ta startojnë kampionatin para tifozëve të tyre.
Në shortin e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” janë përcaktuar përballjet e para të sezonit 2026/27, ku marrin pjesë 10 skuadra. Në elitë janë rikthyer Skënderbeu dhe Laçi, ndërsa pjesa tjetër e kampionatit përbëhet nga Egnatia, AF Elbasani, Vllaznia, Dinamo City, Partizani, Tirana, Vora dhe Teuta.
Sfida më interesante e javës së parë do të jetë ajo mes Egnatias dhe Tiranës, ndërsa një tjetër përballje me shumë histori është dueli mes Partizanit dhe Teutës. Gjithashtu, Vllaznia do të presë Skënderbeun, një ndeshje që premton emocione për shkak të rivalitetit mes dy klubeve.
Kampionati do të zhvillohet fillimisht me 27 javë të fazës së rregullt, ku të gjitha skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën. Pas kësaj faze, pikët e ekipeve do të përgjysmohen dhe gara do të ndahet në dy grupime.
Gjashtë skuadrat e para do të kalojnë në fazën “play off”, ku do të luftojnë për titullin kampion. Në këtë fazë do të zhvillohen dy raunde me ndeshje vajtje-ardhje, për një total prej 10 javësh shtesë.
Ndërkohë, katër ekipet e fundit do të garojnë në “play out” për mbijetesën në kategori. Ato do të zhvillojnë tri faza me përballje vajtje-ardhje-vajtje, gjithsej 9 javë. Në fund të sezonit, skuadra e renditur në vendin e dhjetë do të bjerë direkt nga Superiorja, ndërsa vendi i nëntë do të luajë një finale “play out” ndaj një ekipi të Kategorisë së Parë.
Për sezonin e ri, Tirana dhe Partizani do të kenë mundësinë të përdorin stadiumin “Air Albania”, ndërsa Dinamo do të luajë në “Elbasan Arena”, stadium që do të përdoret edhe nga AF Elbasani.
Sezoni i ri pritet të mbyllet më 9 maj, me një garë që premton rivalitet të fortë si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesën.
Java e parë e Abissnet Superiores:
Partizani – Teuta
Laçi – AF Elbasani
Vllaznia – Skënderbeu
Dinamo City – Vora
Egnatia – Tirana