Basketboll/ Vritet ish-lojtari profesionist Kinu Rochford, ka luajtur edhe në Kosovë

Bota e basketbollit është tronditur nga një ngjarje tragjike në Nju Jork. Ish-lojtari profesionist, Kinu Rochford, është vrarë me armë zjarri gjatë një turneu basketbolli në rrugë në zonën Harlem. Rochford ishte 35 vjeç.

Sipas raportit të policisë, ish-basketbollisti u qëllua në kokë gjatë një incidenti të ndodhur të premten në mbrëmje në pistat e Harlem. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, një burrë 28-vjeçar dhe një grua 22-vjeçare, të cilët sipas informacioneve të para ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi gjatë turneut të natës “Kingdome”, një kompeticion i njohur i basketbollit urban që zhvillohet në kompleksin Luther King Jr. Towers, në Lenox Avenue. Në këto fusha ndër vite kanë luajtur edhe yje të NBA-së si Tracy McGrady, Metta World Peace dhe David Lee.

Sipas versionit fillestar të hetuesve, Rochford, i cili ishte pjesë e turneut dhe po ndiqte nga afër një ndeshje tjetër, u përfshi në një debat me një person nga publiku. Konflikti, që nisi para rreth 500 spektatorëve, përfundoi tragjikisht me të shtënën fatale. Autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është arrestuar.

Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, përfshirë reanimimin kardiopulmonar, Rochford nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Ai u transportua me urgjencë në spitalin “Mount Sinai Morningside”, ku u konfirmua vdekja e tij.

I lindur në Nju Jork në vitin 1990, Kinu Rochford kishte një karrierë të gjatë në basketboll. Ai luajti në nivel universitar për Globe Tech dhe Fairleigh Dickinson, ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2021 ishte basketbollist profesionist në disa liga evropiane, duke luajtur në Holandë, Izrael, Francë, Kosovë (me Golden Eagle Ylli), Mbretërinë e Bashkuar, Islandë dhe Zvicër.

Pas tërheqjes nga basketbolli aktiv, Rochford punonte në Nju Jork në një organizatë që ndihmonte personat e pastrehë.