Fermerët në Libofshë në alarm: Mungesa e ujit për vaditje po than tokat dhe shkatërron prodhimet
Prej vitesh, qindra hektarë tokë bujqësore në 6 fshatrat e zonës së Libofshës po përballen me mungesën e ujit për vaditje, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët dhe prodhimet e tyre.
Banorët thonë se të mbjellat po thahen në ara, toka është çarë nga mungesa e ujit dhe situata është kthyer në një problem të përsëritur nga viti në vit, pa një zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Sipas fermerëve, kriza e ujit nisi pas heqjes së pompave të vaditjes në fshatin Mujalli. Këto pompa merrnin ujë nga kanali Vjosë–Levan–Fier dhe e dërgonin atë drejt kanaleve vaditëse që furnizonin tokat bujqësore të zonës. Pas ndërprerjes së funksionimit të tyre, fermerët kanë mbetur pa mundësi për të ujitur kulturat bujqësore.
“Edhe nëse e kemi pompën, nuk kemi ku ta marrim ujin”, shprehen banorët, duke theksuar se mungesa e furnizimit me ujë ka paralizuar sistemin e vaditjes.
Fermerët deklarojnë se investimet e tyre po shkojnë dëm, pasi mungesa e ujit po shkatërron prodhimet pikërisht në kulmin e sezonit bujqësor. Ata thonë se, pavarësisht vështirësive, vijojnë të paguajnë rregullisht tarifat e vaditjes dhe detyrimet ndaj shtetit, por nuk marrin shërbimin për të cilin paguajnë.
Pamjet nga zona tregojnë toka të thara, kultura bujqësore të dëmtuara, sipërfaqe të çara nga thatësira dhe kanale kryesore vaditëse pa ujë, të mbushura me mbeturina.
Banorët bëjnë me dije se e kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë Bordit të Kullimit dhe Njësisë Administrative, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për rikthimin e sistemit të vaditjes.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar se nëse problemi nuk zgjidhet, shumë fermerë mund të detyrohen të heqin dorë nga kultivimi i tokave të tyre për shkak të humbjeve të vazhdueshme ekonomike.