'Kam vrarë gruan time, çfarë kam bërë'/ Gjykata lë në burg 64-vjeçarin e dyshuar për krimin në Shkodër

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin Shqefen Ziçi, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Seanca gjyqësore u zhvillua nën drejtimin e gjyqtares Zamira Lila, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga prokurorja Albulena Koliçi. I pandehuri u përfaqësua nga avokati Agim Martini.

Gjatë seancës, Ziçi nuk ka dhënë deklarime para gjykatës. Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga trupa gjykuese.

Mbrojtja, nga ana tjetër, kërkoi kryerjen e një ekspertimi psikiatrik për të pandehurin. Avokati Agim Martini argumentoi se deri në momentin e ngjarjes, klienti i tij kishte pasur një jetë familjare të rregullt, së bashku me bashkëshorten kishin rritur dy fëmijë dhe nuk rezultonin konflikte të mëparshme në çift, urdhra mbrojtjeje apo probleme të raportuara.

Sipas mbrojtjes, ngjarja ka ndodhur në rrethana të paqarta dhe për këtë arsye është e nevojshme të vlerësohet gjendja psikike e 64-vjeçarit.

Pas arrestimit, i dyshuari ka folur shumë pak me efektivët e policisë. Në gjendje shoku, ai mësohet të ketë thënë vetëm: “Kam vrarë gruan time, çfarë kam bërë?”, pa dhënë më pas deklarime të tjera për hetuesit.