Kuzhinieri i Senegalit kthehet në atdhe pas akuzave për ngacmim seksual
Një rast i dyshuar për ngacmim seksual ka tronditur kombëtaren e Senegalit gjatë Botërorit 2026. Federata Senegaleze e Futbollit ka vendosur të largojë menjëherë nga delegacioni kuzhinierin e skuadrës dhe ta rikthejë në vend pas akuzave të ngritura ndaj tij nga një punonjëse e punësuar në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Senegaleze, Abdoulaye Seydou Sow, bëri të ditur për televizionin publik senegalez RTS se vendimi është marrë si masë paraprake, pasi sjellja e personit në fjalë është konsideruar “e ngjashme me ngacmim seksual”.
Sow shpjegoi se federata ka preferuar të ndërhyjë menjëherë për të shmangur çdo pasojë të mundshme ligjore në SHBA, ku legjislacioni për çështje të tilla është veçanërisht i rreptë, si dhe për të ruajtur qetësinë dhe përqendrimin e ekipit gjatë turneut.
“Disa sjellje që në Senegal mund të konsiderohen si shaka apo afrimitet i tepruar, në kontekstin amerikan mund të interpretohen si ngacmim”, deklaroi drejtuesi i federatës, duke shpjeguar arsyet e vendimit për largimin e menjëhershëm të anëtarit të stafit.
Federata ka theksuar se veprimi është ndërmarrë për të respektuar rregullat dhe ligjet lokale, si dhe për të mbrojtur imazhin e kombëtares dhe të vendit gjatë pjesëmarrjes në Kupën e Botës.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi incidentin, identitetin e personave të përfshirë apo nëse është hapur një procedurë zyrtare hetimore. Çështja pritet të trajtohet nga autoritetet kompetente, ndërsa Federata Senegaleze ka përsëritur se vendimi i saj ishte vetëm një masë mbrojtëse dhe parandaluese.