Gjendet një armë ushtarake brenda një automjeti pranë sinagogës në Paris, evakuohen 300 persona

Rreth 300 persona janë evakuuar si masë paraprake nga një lagje në periferi të Parisit, pranë një sinagoge hebraike, pasi një automjet i dyshimtë është afruar pranë objektit të kultit.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunes, bëri të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën Charleroi, ku jeton një komunitet i madh hebre.

Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet gjetën një “armë ushtarake”, ndërsa ka nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, motivi dhe identiteti i personit të dyshuar nuk janë bërë të ditura.

Ministri Nunes deklaroi për televizionin francez BFM se evakuimi u krye si masë sigurie, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet lidhur me automjetin dhe personat e përfshirë.