Grabitja e 88 mln euro bizhuteri nga Luvri/ Autorët zbulojnë detaje: Organizatori ishte i zhgënjyer, prisnim më shumë
Dy prej personave të dyshuar për grabitjen e bizhuterive të kurorës me vlerë rreth 88 milionë euro nga Muzeu i Luvrit në Paris kanë dhënë detaje të reja për hetuesit, duke treguar se pas grabitjes organizatori i dyshuar nuk ishte i kënaqur me rezultatin dhe mendonte se mund të ishte marrë një plaçkë më e madhe.
Sipas gazetës franceze Le Monde, e cila ka siguruar procesverbalet e marrjes në pyetje, dy të dyshuarit kanë pranuar pjesëmarrjen në operacion, por kanë refuzuar të zbulojnë identitetin e personit që dyshohet se e organizoi grabitjen, duke përmendur frikën për familjet e tyre.
Të dyshuarit, të identifikuar si Abdoulaye N. dhe Ghelamallah A., dyshohet se hynë në Galerinë Apollo të Luvrit dhe morën tetë objekte me vlerë, përfshirë diadema, gjerdanë, vathë dhe karfica të koleksionit të epokës napoleoniane.
Gjatë arratisjes, një prej objekteve më të rëndësishme, një kurorë e zbukuruar me gurë të çmuar që i përkiste Perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III, u humb dhe u gjet e dëmtuar.
Abdoulaye N. ka pranuar se kurora i kishte rënë nga çanta gjatë largimit. Përballë fotografisë së objektit të dëmtuar, ai ka pranuar rëndësinë e veprimit dhe pasojat e tij.
Sipas dëshmive të dhëna para hetuesve, dy personat janë kontaktuar vetëm disa ditë para grabitjes dhe janë përgatitur për operacionin përmes një videoje ku shfaqeshin vitrinat me bizhuteritë e koleksionit mbretëror.
Një prej tyre ka treguar se detyra ishte e qartë: të thyheshin vitrinat dhe të merreshin bizhuteritë sa më shpejt të ishte e mundur. Për rolin në grabitje, atyre u ishte premtuar një pagesë që varionte nga 15 mijë deri në 25 mijë euro.
Abdoulaye N. ka pranuar se e dinte se objektivi ishte Muzeu i Luvrit, ndërsa Ghelamallah A. ka pretenduar se nuk kishte dijeni për vendin ku po hynte. Sipas tij, i ishte thënë fillimisht se bëhej fjalë për një ambient ku prodhoheshin bizhuteri në Paris.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personit që dyshohet se ka organizuar grabitjen dhe për gjetjen e pjesës tjetër të bizhuterive të zhdukura. Deri tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse dy të arrestuarit kanë vepruar për llogari të një organizatori tjetër.