Nis seanca në Kuvend - Opozita bojkoton: Të diskutohen kërkesat e protestuesve

Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në rendin e ditës janë parashikuar një seri projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025, si dhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.

Ndërkohë ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita ka bojkotuar seancën dhe nuk është në sallë.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar disa ditë më parë diskutimin në seancë të kërkesave të protestuesve që kanë mbushur sheshin e Tiranës por edhe sheshe në shumë vende të botës ku jetojnë shqiptarë.

Kjo do të jetë seanca e dytë radhazi që demokratët bojkotojnë, pas asaj të javës së kaluar, ku gjithashtu nuk morën pjesë për shkak të qëndrimit të tyre se kërkesat e protestuesve nuk ishin marrë parasysh.

Qëndrimi i bërë publik nga Partia Demokratike është se kërkesat e protestuesve duhet të pranohen.

Protestuesit vijojnë prej 43 ditësh tubimet në bulevard kundër qeverisë, por qëndrimet e tyre kanë përfshirë kritika edhe ndaj opozitës, duke kundërshtuar jo vetëm mazhorancën, por edhe mënyrën e përfaqësimit politik nga partitë opozitare.

Rendi i Ditës:

1.Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 30.6.2026 dhe 2.7.2026. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025”.

4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025”.

5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2025”.

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025”.

7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2025”.

8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2025”.

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.

10. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2025”.

11.Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025”.

12.Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2025”.

13.Diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.