Fidhe: Qeveria po tremb qytetarët me komentet, ndërsa databazat shtetërore janë shkelur
Eksperti i privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale, Edrin Fidhe, në një intervistë në “Kafe Shqeto” në Syri TV, u shpreh se Policia e Shtetit duhet të fokusohet te garantimi i sigurisë së databazave shtetërore, si TIMS, E-gjobat dhe sisteme të tjera, ku kanë pasur raste shkeljesh dhe publikimi të të dhënave.
Fidhe tha se komentet e qytetarëve në platformat online janë një çështje tjetër dhe se platformat ndërkombëtare kanë politika të forta për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.
Ai theksoi se për identifikimin e personave pas këtyre llogarive do të nevojiteshin kërkesa ndaj platformave, por këto të fundit kanë rregulla strikte dhe nuk japin të dhëna kur cenohen të drejtat e përdoruesve.
Fjala e tij:
Dhe sigurisht Policia ka çështje shumë më të rëndësishme. Kur flasim për të dhënat, e para duhet të garantojnë njëherë databazat që ka, TIMS-in, E-gjobat e shumë të tjera.
Ka pasur shumë raste që janë bërë dhe mediatike, që ka pasur shkelje dhe ndërhyrje në këto databaza, dhe janë publikuar të dhëna të hyrje-daljeve. Për këtë duhet të shqetësohet Policia e Shtetit, dhe jo për komentet e qytetarëve.
E kanë parashikuar, janë politika publike. Po të hyni te faqja e Google-it, Facebook-ut dhe Tripadvisor-it, ka politika privatësie, politikë për cookie-t, politikë sigurie për të dhënat, pra çdo gjë. Ato janë shumë korrekte kjo pjesë. Dhe unë, dhe duhet të bëjmë dhe një gjë të ditur qytetarëve, që duhet të jenë të qetë, të mos tremben. Sepse Google, Facebook dhe platforma të tilla ndërkombëtare kanë politika shumë strikte. Nuk japin të dhëna në momentin që krijohet bindja që këto mund të përdoren për hakmarrje, ose për t'u goditur politikisht, ose penalisht, në rastin konkret.
Tani le ta shpjegoj këtë. Ka dhe një implikim tjetër ë, që duhet ta themi, sepse liria e shprehjes është shumë e lidhur dhe me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave. Në këtë moment, Policia po tenton të bëjë identifikim të personash. Pra, review-të janë publike. Dhe emrat e personave janë publike, të atyre që i kanë bërë, ose mund të mos jenë publike, sepse nuk është e thënë që të identifikohen domosdoshmërisht me emrin apo jo. Policia që ta çojë deri në fund këtë nismë që ka marrë, do të duhet që t'i identifikojë, dhe bëhet fjalë për qindra, mijëra review mbase. Pra, po bëhet në mënyrë masive. Dhe që të arrijë këtu, do t'i bëjë kërkesë patjetër platformave. Platformat të jeni të bindur që nuk do t'i japin këto të dhëna.
Unë besoj që s'ka asnjë shans, sepse rregullat e tyre janë shumë strikte. Aty cenohet privatësia. Patjetër, sepse cenohet GDPR, pra rregullorja evropiane e mbrojtjes së të dhënave, dhe këto janë shumë të forta, pra arrijnë gjoba marramendëse, miliona euroshe. Pra, këtu ka të dhëna personale mbrapa atij profili. Është një emër, është një mbiemër, është një adresë emaili, janë meta-data, ka mesazhe private, të cilat po tenton t'i aksesojë Policia. Dhe kjo pastaj do krijojë...
Patjetër, do bëjë kërkesa dhe... unë e parashikoj si jurist që të arrijë të provojë atë që pretendon, do të duhet të bëjë kërkesa në këto platforma për të identifikuar kush qëndron mbas këtyre llogarive. Pra të dhënat e individit që ka bërë komentin. Që pastaj ta procedojë, edhe pse s'ka bazë ligjore ë, pra është një çikë rrugë e vështirë kjo. Po unë them që Google-i dhe çdo platformë... ka një tentativë, mendoj, për të trembur qytetarët, dhe është ajo që unë e druajmë dhe që në terma ndërkombëtarë quhet krijimi i asaj që quhet 'chilling effect'. Pra në momentin që qytetari krijon bindjen që këtu ka një lëvizje për ta intimiduar, për të mos e lejuar që ai të bëjë komente lirisht, këtu do krijohet edhe një frikë pastaj për të shprehur një mendim dhe një opinion. Dhe ky është edhe pasoja e gjithë kësaj... e gjithë kësaj zallamahie që po krijohet. Se ka dhe pasoja të tjera, pra cënohen të drejtat dhe liritë themelore të individit, por krijohet dhe një precedent i rrezikshëm. Sepse sot po kërkohet kjo gjë, nesër mund të thonë që ndalohen komentet negative ndaj një personi publik, ndaj një politikani, ndaj një institucioni, që kjo s'ndodh në asnjë vend të botës ë, të jemi të qartë. Pra, liria e shprehjes gjithmonë prevalon, dhe e drejta e privatësisë.