Roy Keane ironizon babanë e Haalandit: Ndoshta nuk e mban mend ndeshjen, sepse është gjithmonë ‘tapë’

Eliminimi i Norvegjisë nga Anglia në çerekfinalen e Botërorit 2026 ka rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjen e vjetër mes Roy Keane dhe Alf-Inge Haaland.

Ish-mesfushori i Manchester United reagoi me ironi pasi babai i Erling Haaland-it pretendoi se Norvegjia ishte “vjedhur” nga arbitri në humbjen 2-1 ndaj Anglisë. Alf-Inge Haaland kishte shkruar në rrjetet sociale: “Urime Bellinghamit dhe arbitrit”, ndërsa në një tjetër postim shtoi: “Ju shpëtoi arbitri. Shpresoj që ta fitoni Botërorin, por mendoj se sot na vodhën.”

Komentet e tij u diskutuan në emisionin “Stick to Football”, ku Roy Keane nuk i kurseu thumbimet ndaj ish-rivalit të tij.

‘Ndoshta ai nuk e mban mend mirë ndeshjen, sepse pi gjithmonë”, ishte batuta e Keane, duke rindezur rivalitetin që daton prej kohës kur të dy ishin futbollistë në Premier League.

Në të njëjtin debat, edhe Ian Wright hodhi poshtë pretendimet e Alf-Inge Haaland-it për favorizim të Anglisë nga arbitri.

“Mendoj se janë thjesht komente të bëra nga zhgënjimi. Nuk besoj se ai mund t’i referohet golit të anuluar, sepse shtyrja e Erling Haaland-it ishte faull i pastër. Ai është shumë më i gjatë se kundërshtari dhe nuk kishte asnjë arsye të përdorte atë forcë. Ishte një faull i qartë”, u shpreh legjenda e Arsenalit.

Një nga episodet më të diskutueshme të takimit ishte anulimi i golit të dytë të Norvegjisë, pasi arbitri konstatoi një faull të Erling Haaland-it ndaj mbrojtësit anglez përpara ekzekutimit të goditjes nga këndi.