Atlanta në alarm sigurie për gjysmëfinalen Angli-Argjentinë
Policia e Atlantës ka forcuar masat e sigurisë për gjysmëfinalen e Botërorit 2026 mes Anglisë dhe Argjentinës, një nga sfidat më të shumëpritura të turneut.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se personel shtesë është vendosur tashmë në stadium, në zonat e argëtimit dhe në pikat me fluks të lartë njerëzish për të garantuar zhvillimin e sigurt të ngjarjes.
“Masat proaktive të ndërmarra synojnë të mbrojnë publikun, të parandalojnë aktivitetet kriminale dhe të sigurojnë që banorët dhe vizitorët ta shijojnë në mënyrë të sigurt këtë event historik”, thuhet në deklaratën e policisë së Atlantës.
Pritet që stadiumi me kapacitet prej 75 mijë vendesh të ndahet pothuajse në mënyrë të barabartë mes tifozëve të dy kombëtareve. Kjo pritet të ndodhë falë pranisë së komuniteteve të mëdha të emigrantëve anglezë dhe argjentinas në Shtetet e Bashkuara.
Në veçanti, nga Florida pritet të udhëtojnë mijëra tifozë argjentinas drejt Atlantës, ndërsa në orët e fundit është parashikuar edhe mbërritja e mijëra mbështetësve anglezë për të ndjekur nga afër këtë përballje të madhe.
Ndërkohë, njësia e specializuar e policisë britanike për ndeshjet e futbollit, e cila ndodhet në SHBA gjatë Botërorit, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet amerikane për të identifikuar dhe menaxhuar çdo situatë që mund të krijojë probleme gjatë zhvillimit të takimit.