Aksident i rëndë në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, një e moshuar përplaset nga një fuoristradë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, në fshatin Zhamë-Sektor.

Një automjet tip fuoristradë ka përplasur një person që po kalonte autostradën nga njëra anë në tjetrën.

Bajame Ramazani, 75 vjeçe, po kalonte autostradën për të shkuar te tokat e saj, duke kaluar mbi trafikndarëse, vetëm 50 metra larg mbikalimit.

Përplasja ka qenë tepër e fortë dhe e moshuara është transportuar në gjendje kritike për jetën me ambulancë në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Policia Rrugore ka shkuar në vendngjarje për të dokumentuar ngjarjen dhe për të disiplinuar trafikun, ndërsa është shoqëruar drejtuesi i fuoristradës deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Sipas të dhënave të para, 75-vjeçarja, banuese në Zhamë-Sektor, po kalonte autostradën për të shkuar te pronat e saj në anën tjetër të rrugës.

Ndonëse në këtë pikë ndodhet një mbikalim, shpeshherë, përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës, këmbësorët kalojnë nga njëra anë në tjetrën për shkak të interesave të tyre ekonomike.