Mbyllet protesta e 43-të kundër Ramës, qytetarët: Të hënën kallëzim në SPAK ndaj kreut të Policisë
Është mbyllur edhe protesta e 43-të radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, më pas u drejtuan para godinës së Kryeministrisë dhe vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Gjatë tubimit, qytetarët mbajtën pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë dhe morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre mbi çështje të ndryshme. Një nga temat e përmendura ishte edhe fondi prej 4 milionë eurosh i përdorur për koncertin e Kanye West, për të cilin pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre.
Në protestë u njoftua gjithashtu se të hënën do të depozitohet në SPAK një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Nisma lidhet me deklaratat e tij për hetimet ndaj personave që kanë publikuar vlerësime negative (review) online për biznese.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke kaluar edhe në zonën e ish-Bllokut, me thirrje dhe slogane kundër qeverisë.