‘Franca ka skuadër të nivelit të lartë, por pa francezë’/ Ish-kryeministri spanjoll akuzohet për racizëm
Një nga ndeshjet më të shumëpritura të Botërorit 2026 do të jetë padyshim gjysmëfinalja mes Francës dhe Spanjës, dy skuadra të cilat kanë treguar në vitet e fundit pretendimet e tyre për të qenë në majën e futbollit europian e botëror.
Por sfida mes tyre ka marrë një ngjyrim tjetër pasi është përfshirë nga akuzat për deklarata raciste.
Protagonist është bërë ish-kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj, i cili ka drejtuar vendit nga viti 2011, deri në vitin 2018. Ai ka shkruar rregullisht editoriale rreth Botërorit për gazetën “El Debate”, por komenti i tij për duelin ndaj Francës, ka tejkaluar thjesht analizën.
“Pa hyrë shumë në detaje, ia vlen të kujtojmë se Franca ka qenë dy herë Kampione Bote dhe finaliste në edicionin e fundit. Ata kanë fituar çdo ndeshje që kanë luajtur në këtë Kupë Bote dhe aktualisht renditen në vendin e parë në renditjen e FIFA-s. Ata gjithashtu kanë një skuadër të nivelit të lartë. Megjithatë, pa francezë. Dhe po luan shumë mirë. Do të jenë një kundërshtar i jashtëzakonshëm”, shkruante Rahoj.
Fakti që ai ka shkruar se Franca luan pa francezë, ka ndezur rrjetin, me kundërpërgjigje të shumta nga politikanët francezë të cilët kanë akuzuar Rahoj për racizëm.
Edhe vetë politikanët spanjollë, me në krye kryeministrin Pedro Sançez, i janë kundërvënë shpejt politikanit iberik.
“Disa ende e matin përkatësinë sipas mbiemrit, vendlindjes ose ngjyrës së lëkurës. Të tjerë e matin atë sipas rrënjëve të thella në një vend dhe gatishmërisë për të kontribuar në të. Duke luajtur futboll. Duke u kujdesur për të moshuarit tanë. Apo duke hapur biznese. Spanja u përket atyre që e duan dhe punojnë për të. Jo atyre që e turpërojnë me deklarata ksenofobe. Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë skuadra më e mirë dhe le të humbasë racizmi”, ishte postimi në rrjetet sociale i Sançez duke iu kundërvënë paraardhësit të tij në krye të qeverisë.