‘Pse protestojmë?’/ Ish-pjesëtari i RENEA-s kundër qeverisë: Shqipëria po i mohon fëmijëve të ardhmen
Një qytetar dhe prind i ri ka mbajtur një fjalim të fortë në protestën e 43-të kundër qeverisë së Edi Ramës, ku rrëfeu shqetësimet e tij për të ardhmen e fëmijëve dhe problematikat që, sipas tij, po përballon shoqëria shqiptare.
Duke folur para protestuesve, ai u ndal te arsimi, siguria, emigrimi i të rinjve dhe mungesa e mundësive për brezat e rinj.
Ish-pjesëtari i forcave speciale RENEA dhe pedagog deklaroi se do të vijojë të jetë pjesë e protestës, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar për një Shqipëri më të mirë.
Qytetari: Vini re, vini re. Ju jeni njerëz të lirë të një populli të robëruar! Vetëm nga ju dhe nga kushdo tjetër në diasporë, dhe kudo që po proteston, mund të vijë shpëtimi i Shqipërisë! Kontributi juaj me gjetje, me artikuj, me filma me metrazh të shkurtër, me kallëzime, me padi, me pjesëmarrje, do t'i japë jetë dhe do ta çlirojë Shqipërinë nga kjo kastë e korruptuar.
A e dini se në Shqipëri policia dekonspiron, universitetet shesin diploma dhe nxjerrin diploma me sahat, nuk bëjnë asnjë studim tregu. Mbi kuotat që lëshojnë diplomat, mbi 1500 juristë çdo vit pa një studim tregu. Në Shqipëri nuk ka asnjë kampus, zero. Nuk ka asnjë qytet për studentët, nuk ka mbështetje për kërkimin shkencor që i jepet pedagogëve dhe ka pedagogë që bëjnë nga dy e më shumë punë sepse nuk e mbajnë dot dinjitetin me pagën që marrin.
Nëse po pyesni se kush jam, unë jam njëri nga ju, jam një numër këtu në shesh dhe do të jem deri në ditën e fundit. Jam babai i një djali 5-vjeçar, që për fat të keq se jetojmë në Tiranë mund ta çojmë te Teatri i Kukullave, që është vetëm një në të gjithë Shqipërinë dhe ka vetëm 200 vende, vende të limituara. Po fëmijët e tjerë si po rriten?
A e dini që në Shqipëri ka vetëm një plazh publik, dhe të gjithë fëmijët e tjerë që nuk i përkasin Durrësit, po edhe aty është e limituar, nuk do të shijojnë pushimet e verës dhe me atë ndrojtjen e turpit që kanë nuk do të shkruajnë në atë hartimin e muajit shtator, se ku i kaluan pushimet. Se pushime nuk bëjnë!
Në plot qytete të Shqipërisë nuk ka një linjë urbani që të shohë të afërmit në varreza, që është minimale për të përkujtuar, dhe për t'u çmallur, dhe për të takuar ato njerëz që kanë kaluar në botën e përtejme. Pra zero mundësi që ato të shkojnë edhe t'i vizitojnë ato varreza.
Në vitin 2013-14 unë nisa Akademinë e Policisë. 10 mijë persona aplikuan në atë kohë, e kuptoni besoj shpresën e madhe që kishim. Dhe pas fillimit, me mijëra të tjerë e braktisën se e kuptuan qasjen reale të kësaj qeverie. Kam punuar në forcat speciale RENEA, që është elita e vendit. Dhe kur vjen puna, kam ikur me tërheqje për shkak të dekonspirimeve, mediokritetit, dhe drejtuesve analfabetë.
Jam një person që sot e jap kontributin në dy universitete si pedagog. Si pedagog që bëj plot punë të tjera më pas për të pasur një jetë dinjitoze, për vete, për prindërit, edhe për djalin që ju thashë që rritet në një vend që kushtet dhe premisat për një të ardhme të mirë janë zero.
Dhe për ta mbyllur, kushdo që ju pyet se pse protestohet. Protestohet për ato listat e kriminalizuara me plot zyrtarë që nuk e meritonin të ishin kryetarë bashkie, deputetë, e zyrtarë. Protestohet për kanabizimin e vendit. Protestohet për kuotat e universiteteve që janë fiktive dhe nuk lidhen me tregun e punës. Protestohet për talljet e vazhdueshme që çdo zyrtar bën me fondet publike. Protestohet dhe do të protestojmë deri në ditën e fundit. Dhe një herë po ju them, unë jam thjesht një numër, unë jam ju këtu në shesh, deri në fund.