Demokratët Europianë pas deklaratave të Dua Lipës: Shqipëria po flet, Rama duhet të dëgjojë
Demokratët Europianë kanë reaguar pas deklaratave të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, në podcastin me Lea Ypi, ku ajo foli për zhvillimet politike në Shqipëri, protestat kundër qeverisë së Edi Ramës dhe debatin për projektet turistike në zonat e mbrojtura, përfshirë Sazanin dhe Zvërnecin.
Në reagimin e tyre, Demokratët Europianë shprehen se qëndrimet e Dua Lipës përkojnë me shqetësimet e mijëra qytetarëve shqiptarë që prej javësh protestojnë për transparencë, mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e ligjit. Sipas tyre, fakti që një figurë me ndikim ndërkombëtar ngre të njëjtat shqetësime tregon se debati nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike, por një çështje që po merr vëmendje më të gjerë.
Ata theksojnë se ligjet që lidhen me zonat e mbrojtura nuk mund të ndryshohen pas dyerve të mbyllura dhe pa konsultim publik, duke kërkuar nga qeveria shqiptare llogaridhënie për vendimet që prekin trashëgiminë natyrore të vendit.
“Edhe Dua Lipa tani po e thotë qartë atë që shqiptarët e kanë përsëritur në rrugë prej gjashtë javësh: ligjet për mjedisin nuk mund të ndryshohen pa konsultim publik. Ky nuk është vetëm qëndrimi i një personazhi të famshëm, por zëri i një vendi që kërkon transparencë, llogaridhënie dhe respekt për pasuritë e tij natyrore”, thuhet në reagimin e Demokratëve Europianë.
Sipas tyre, kryeministri Edi Rama duhet të ndalojë shpërfilljen e kërkesave qytetare dhe të dëgjojë mesazhin që vjen nga shoqëria shqiptare. “Shqipëria po flet. Ka ardhur koha që ai ta dëgjojë”, përfundon reagimi.