UEFA cakton 6 gjyqtarë shqiptarë për duelin delikat në Champions League

Sfidat e mesjavës në kompeticionet europiane do të shohin në fushën e lojës jo vetëm skuadrat shqiptare, por edhe gjyqtarë të Superiores.

UEFA ka caktuar një grup me 6 gjyqtarë për një ndeshje të sfidës së kthimit të turit të parë të Ligës së Kampioneve.

Në stadiumin e Tbilisit në Gjeorgji do të luhet këtë të martë ndeshja mes Iberias vendase dhe estonezëve të Flora Talin, të cilat kanë dhuruar një përballje shumë të ndezur në duelin e parë.

Ajo sfidë përfundoi 3-2 dhe tashmë në ndeshjen e kthimit do të jenë gjyqtarët shqiptarë ata të cilët do të vendosin drejtësi.

Kryesori i caktuar nga UEFA është Florian Lata, i cili si ndihmës në këtë duel do të ketë Marjus Qosen dhe Fatmir Lamën, me Kreshnik Cjapin si gjyqtar të katërt. Meqë kjo është një ndeshje e Ligës së Kampioneve, e cila aplikon VAR-in që në turin e parë, edhe në sallën e teknologjisë do të jenë dy shqiptarë. Albert Doda do të jetë në VAR me Kreshnik Bajramaj si përgjegjës të AVAR.