Zelensky njofton për zëvendësimin e kryeministres ukrainase

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi më 12 korrik se synon ta zëvendësojë kryeministren Yulia Svyrydenko, si pjesë të një riorganizimi më të gjerë të Qeverisë, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme për zbatimin e një strategjie të përditësuar politike.

Në një postim në Telegram, Zelensky e falënderoi Svyrydenkon për punën e saj si kryeministre të Ukrainës dhe tha se i ka ofruar një detyrë të re, që ka të bëjë me raportet me një nga partnerët kyç ndërkombëtarë të Ukrainës. Ai nuk tregoi se për cilin shtet bëhet fjalë dhe nuk dha hollësi të tjera për rolin e propozuar.

“Pres që, së bashku me deputetët, të bëjmë ndryshimet e nevojshme në Qeverinë e Ukrainës”, shkroi Zelensky.

Presidenti tha se riorganizimi synon të rifreskojë përbërjen e Kabinetit të Ministrave dhe se përgjegjësitë për fushat kyçe të politikës së jashtme do t’u besohen zyrtarëve me përvojën përkatëse.

Ai njoftoi edhe për ndryshime në drejtimin e disa agjencive të zbatimit të ligjit, por nuk specifikoi se cilët zyrtarë do të preken.

Svyrydenko më pas shkroi në X se me Zelenskyn kanë diskutuar për ndryshimet e planifikuara në Qeveri dhe për “hapat e ardhshëm”.

Sipas ligjit ukrainas, dorëheqja e kryeministrit duhet të miratohet nga Parlamenti. Nëse deputetët votojnë për ta pranuar atë, i gjithë kabineti qeverisës është i detyruar të japë dorëheqje, pas së cilës duhet të formohet dhe të votohet një ekzekutiv i ri.

Para se të bëhej kryeministre në korrik të vitit 2025, Svyrydenko shërbeu si zëvendëskryeministre e parë dhe ministre e Ekonomisë, ku pati rol udhëheqës në politikën ekonomike të Ukrainës dhe në negociatat me partnerët ndërkombëtarë.

Më herët gjatë këtij vit, ajo nënshkroi në emër të Qeverisë ukrainase marrëveshjen SHBA-Ukrainë për mineralet, pas disa muajsh negociata mes Kievit dhe Uashingtonit.

Emërimi i Svyrydenkos vitin e kaluar u bë në kuadër të një riorganizimi të gjerë të Qeverisë, që ishte riorganizimi më i madh që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gjatë riorganizimit u zëvendësua kryeministrit dhe disa ministra.

Zelensky nuk përmendi ndonjë emër si pasardhës të Svyrydenkos dhe as nuk dha ndonjë afat kohor për riorganizimin, veç tha se ai do të kërkojë miratimin e Parlamentit./ REL/