Bytyçi: Pjesëmarrja e Ramës në samitin e NATO-s, dështim diplomatik për Shqipërinë
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, studiuesi Enver Bytyçi komentoi zhvillimet e samitit të NATO-s, duke u ndalur te pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama.
Bytyçi e cilësoi praninë e Ramës në këtë takim si një dështim diplomatik për Shqipërinë, duke pretenduar se kryeministri nuk arriti të zhvillonte takime domethënëse me liderët kryesorë të Aleancës dhe mbeti i injoruar nga pjesa më e madhe e tyre, përfshirë edhe Presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas tij, përpjekja e Ramës për të tërhequr vëmendjen me paraqitjen e tij, përfshirë atletet e bardha, nuk pati efektin e synuar, ndërsa vëmendja e liderëve botërorë u përqendrua te zhvillimet e samitit dhe jo te gjestet simbolike.
Pjesë nga deklarata:
Kur flas për Shqipërinë, sigurisht që i referohem kryeministrit. Samiti i Ankarasë ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, sipas mendimit tim, sepse pas kaq vitesh debatesh, konfliktesh, ose më mirë të them retorikash, midis disa vendeve anëtare të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose më saktë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e akoma më saktë midis liderëve evropianë dhe presidentit Trump, në Ankara u arrit një konsensus, sipas të cilit Aleanca Atlantike do të vijojë të jetë në të njëjtat linja siç ka qenë gjatë rreth 70–80 viteve të fundit.
Në këtë kuptim, mendoj se samiti i Ankarasë ishte një samit shumë i suksesshëm. Në fund të fundit, u theksua edhe një herë se Aleanca do t'i përmbahet nenit 5 të Kartës së NATO-s, sipas të cilit, nëse një vend anëtar i NATO-s sulmohet nga një vend joanëtar, atëherë konsiderohet se janë sulmuar të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Pra, theksimi në deklaratë i kësaj çështjeje dhe, sidomos, përfshirja e problematikës së rritjes së buxhetit të mbrojtjes në të gjitha vendet anëtare, si edhe e çështjeve që lidhen me konfliktet aktuale, veçanërisht me Ukrainën, ishin një sukses i jashtëzakonshëm, të cilin vetëm Turqia mund ta realizonte si një vend me aftësi të spikatura ndërmjetësuese, dialoguese dhe bindëse.
Desha të them se samiti kishte një rëndësi të veçantë, por pjesëmarrja e Shqipërisë ishte, natyrisht, një ngjarje që do të ndodhte. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe, prej vitit 2009, ajo është përfaqësuar nga kryeministrat ose, në raste të caktuara, nga presidenti. Edhe kësaj radhe zoti Rama ishte i pranishëm, ndonëse, me shumë gjasa, ftesa i ishte adresuar Presidentit të Republikës. Megjithatë, sipas meje, me makinacionet e tij, kryeministri bëri të mundur që të evitohej pjesëmarrja e zotit Bajram Begaj në këtë samit, duke imponuar praninë e tij.
Sipas protokollit, zakonisht merr pjesë kryeministri, pasi Shqipëria është republikë parlamentare. Megjithatë, sipas protokollit mund të marrë pjesë edhe presidenti. Nuk është e domosdoshme që të shkojë gjithmonë kryeministri. Të dy këto pozicione përfaqësojnë pushtetin ekzekutiv dhe komplementojnë njëri-tjetrin, por nuk duhet të dublojnë njëri-tjetrin. Sigurisht, në një republikë parlamentare përparësi ka kryeministri.
Gjithsesi, sipas mendimit tim, shkuarja e zotit Rama atje ishte e dëmshme për Shqipërinë. Do të kishte qenë shumë më mirë që vendi të përfaqësohej nga Presidenti i Republikës, ashtu siç ishte nisur edhe ftesa fillimisht.
Pse e them këtë? Presidenti i Republikës është më i pranueshëm nga lidershipi euroatlantik pjesëmarrës. Ai do të ishte takuar së paku me tre, katër apo pesë liderë të vendeve anëtare. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë bëri fotografi dhe shtrëngoi duart vetëm me dy personalitete: presidentin e vendit organizator dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Por keni vënë re se ai nuk u prit nga asnjë udhëheqës tjetër i vendeve anëtare. Nuk u takua as me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, me presidentin e Kroacisë apo me përfaqësues të vendeve si Lituania, Letonia, Estonia, Suedia apo Norvegjia.
Ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen përmes atleteve të bardha, të cilat më pas i zëvendësoi me këpucë, pasi, me sa duket, dikush ia tërhoqi vëmendjen. Ky dikush ishte, sigurisht, protokolli i samitit, sepse rregullat e tij nuk mund të shkelen lehtësisht. Edi Rama i theu ato në një moment për të tërhequr vëmendjen, por, sipas meje, tërhoqi përbuzjen dhe injorimin e plotë nga ana e zotit Trump. Mori një buzëqeshje nga Macron, ndërsa Rutte u përpoq ta shpëtonte disi situatën, por nuk mundi të ndryshonte asgjë.
Nga ana tjetër, zoti Rama nuk arriti t'i jepte dorën apo të bënte një fotografi me Giorgia Melonin, të cilën e konsideron mike të kahershme. Nuk bëri fotografi as me Ursula von der Leyen, as me liderë të tjerë të afërt, madje as me zotin Macron, i cili vetëm pak javë më parë e kishte pritur në Pallatin Presidencial.
Kishim të bënim me një situatë ku, sipas perceptimit tim, të gjithë udhëheqësit e lanë Edi Ramën në një cep. Madje, kam përshtypjen se protokolli e kishte udhëzuar që, në momente të caktuara, të mos lëvizte nga karrigia ku ishte ulur. Kjo më kujtoi qëndrimin e tij në Paris, gjatë vizitës së Trump për inaugurimin e Notre-Dame, kur Rama qëndronte ulur në një tavolinë dhe nuk lëvizte. Ndërkohë, Vjosa Osmani dhe udhëheqës të tjerë takoheshin me zotin Trump dhe me Elon Musk.