Refuzimi i së keqes

Biletat për koncertin e Kanye West i bleva qysh ditën e parë, pas kërkesave të vijueshme të sime bije adoleshente, që me shokët e klasës e kishin pikasur para meje koncertin e tij në Tiranë.

“Le të jenë dhurata për minimaturën”, më tha. Ashtu bëmë, jo pa ngurrim nga çmimet e kripura të 5 majit, kur i premë.

Amaris e mbylli me sukses minimaturën, na gëzoi, por dje nuk shkuam në koncert, i anuluam biletat.

Ndërmjet këtyre dy çasteve ndodhi shumëçka, mjaftueshëm të ndryshonte objektin e dy biletave tona.

Ne kishim blerë hyrjen në një koncert. Qeveria e shndërroi koncertin në një demonstrim të përsosur të mënyrës se si qeveriset sot Shqipëria. Një interes privat futet në urgjencën e shtetit, një faturë private kalon pa rezistencë në buxhetin publik dhe një vendim arbitrar shitet si interes kombëtar e që paguhet plot 4.2 milionë euro.

As nga xhepi i Kryeministrit.

As nga xhepi i organizatorit.

Por nga buxheti i shtetit.

Dhe këtu nuk ka hiç rëndësi nëse e do apo nuk e pëlqen Kanye West si artist a njeri. Kjo është thelbësore.

Në një republikë demokratike, nuk duhet të të pëlqejë personalisht artisti që të financosh kulturën publike, por nuk duhet as të detyrohesh të financosh riskun tregtar të një sipërmarrjeje private vetëm sepse Kryeministri vendos në minutën e fundit, se dështimi i saj do të ishte “turp kombëtar”.

Andaj nuk pati bileta falas. Kjo ishte pjesa më groteske e spektaklit.

“Bileta falas” është një batutë e vullnetshme a jo e gjithë kësaj historie.

Falas nuk hyri askush.

Paguam të gjithë në taksa, dyfish ata që e kishin blerë biletën, paguan edhe ata qe nuk hynë. Paguan edhe ata që nuk e dëgjojnë Kanye West, nuk e pëlqejnë Kanye West dhe nuk do të shkelnin kurrë në koncertin e Kanye West. Paguan pensionistët, të sëmurët pa terapi, nxënësit pa shkolla. Ky është ndoshta koncerti i parë ku publiku ishte shumë më i madh se sa stadiumi u ngritur enkas. Qe një popull i tërë.

Stadiumi kishte dhjetëra mijëra spektatorë, që u sollën si manifestuesit ne mitingjet elektorale. Ama koncerti kishte disa milionë financues.

Si të mos mjaftonte, Rama e priti Kanye West në Kryeministri, në “Parkun e Edenit”, një tjetër trill multimilionësh i shijeve personale të liderit, paguar nga publiku. Dhe aty i dhuroi Albanian Files.

Vështirë të imagjinohej një alegori më e saktë e këtij pushteti. Kryeministri që sapo kish mobilizuar miliona euro publike për një spektakël privat, priti artistin në “Kopshtin e Edenit”, një tjetër luks multimilionësh i paguar nga publiku dhe i dhuroi Albanian Files, librin që dokumenton mënyrën se si Shqipëria trajtohet si një territor ku Kryeministri nuk mjaftohet të qeverisë, por zgjedh arkitektët, projekton të ardhmen, shpërndan hapësirën dhe kuron estetikisht transformimin e pronës së përbashkët.

Jo si një administrator i përkohshëm, por si pronar i asaj zyre, Rama sajdiste klientin që sapo i kish blerë koncertin me një tur në kryeministrine “e vet” dhe me një katalog “çifligjesh” personale.

Albanian Files është manuali ilustrues i një pushteti të administruar si studio personale projektesh. Kryeministri telefonon arkitektë, shpreh vizione, ndërmjetëson projekte, kuron qytete, porte, bregdet, kulla dhe hapësira publike e private, ndërsa institucionet sillen si departamentet e tij teknike.

Dhe mandej ia dhuron këtë libër Kanye West.

Kanye mund ta ketë hedhur librin në një qoshe ende pa e hapur, në atë çrregullimin e vetpranuar të pavëmendjes. Dhe historia mbaron aty.

Por mendimi tjetër është edhe më i lig, Kanye mund ta hapë librin.

Mes atyre faqeve delirante, mund t’i pëlqejë ndonjë copë Shqipërie, t’i vërë gishtin mbi hartë dhe të telefonojë kryeministrin shqiptar e t’i thotë: “e dua”. Atë kryeministër, që prej vitesh sillet sikur vendi është katalog dhe jo Republikë.

Paralelizmi figurativ është harlisur kësaj here. Skenografia e koncertit të West përmban një gjysmëplanet Tokë. Në turin e fundit, ai është vetëm mbi planet, një njeri i vogël karshi botës dhe njëherazi, një figurë që qëndron sipër saj. Sipas shpjegimit të tij të fundit, ideja e globit lidhet me qasjen se kur je brenda botës, problemet duken të mëdha, por kur e sheh nga jashtë, nga larg, ato zvogëlohen. Pra, Toka gjigante funksionon si një ndryshim shkalle dhe këndvështrimi, individi karshi botës, por njëkohësisht edhe mbi të, jashtë saj.

Kjo lidhet edhe me një temë shumë të vjetër në estetikën e Kanye-s, vetja si figurë mitologjike brenda një bote të ndërtuar prej tij. Që nga “Glow in the Dark”, ku ishte udhëtari që kërkonte të kthehej në Tokë, te mali monumental i Yeezus dhe skena fluturuese në Saint Pablo, koncertet e tij kanë qenë e mbeten kozmologji personale. Shprehje e manive të tij, që ndonjëherë i ka shpallur si çrregullime psikike të vetat. Por nuk do të shkoj deri aty, do t’i qëndroj atij arti e skenografie që ka zgjedhur në vite, vetëmitologjizim artistik, perspektivë kozmike, izolim dhe monumentalizim i vetes.

Ngjashmëritë mund të jenë rastësore, por ja që ironia e fatit buçet po aq sa “Rama jepe dorëheqjen” në bulevard e çdo platformë sociale.

Kanye mund të bëjë ç’të dojë me atë libër rozë, sepse Albanian Files për të ishte dhuratë.

Për ne është dosje dënimi, ne jetojmë brenda tij.

Kjo është arsyeja pse dje nuk shkuam në koncert. Jo sepse një koncert përcakton ndërgjegjen e dikujt dhe as sepse bojkoti im ndryshonte rezultatin. Por sepse, pasi e gjithë kjo ndodhi, për mua bileta kishte ndryshuar objekt.

Nuk qe më thjesht hyrje në një koncert, por pranim i normalizimit të një filozofie që po e bën ferr jetën e shqiptarëve.

Kryeministri shpall emergjencë atë që urgjentisht i duhet pushtetit, shtetëzon humbjen e një interesi privat duke e pagëzuar si “interes kombëtar”, përdor buxhetin jo sipas hierarkisë së nevojave publike, por sipas hierarkisë së delireve të veta e mandej të kërkon edhe duartrokitje për bujarinë e xhepit të shqiptarëve.

Unë i bleva biletat me paratë e mia dhe zgjodha të mos shkoja.

Edi Rama bleu koncertin e tij me paratë tona dhe zgjodhi të shfaqte edhe një herë me arrogancë, demonstrimin e pushtetit.

Dy bileta të papërdorura nuk rrëzojnë një sistem. Por refuzimi i secilit për të normalizuar të keqen shkakton një ortek që e bën të papërdorshëm më atë “shteg”.