Sot protesta e 43-të kundër qeverisë, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Sot është dita e 43-të e protestave qytetare. Edhe këtë të diel grumbullimi i protestuesve do të nisë nga sheshi Skënderbej dhe më pas do të marshohet drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Protestat qytetare janë karakterizuar nga masiviteti, energjia dhe vendosmëria për ta mbajtur të gjallë kauzën pavarësisht se ka kaluar mbi 1 muaj që qytetarët mbushin rrugët çdo ditë.

Ndërkohë mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në ditën e 42-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Nesër më shumë”, “Arrestoni Ramën”, dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Protestuesit u shprehën të vendosur se nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa marshimi vijoi në rrugët kryesore të Tiranës përgjatë disa orësh.