Artet e aplikuara promovojnë Gjirokastrën muzeale, artistët e rinj sjellin në miniaturë qytetin e gurit
Vlerat historike, arkitekturore dhe kulturore të Gjirokastrës po promovohen gjithnjë e më shumë edhe përmes artit të aplikuar. Artistë të rinj nga Universiteti i Arteve po punojnë për të rikrijuar në miniaturë disa prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit të gurtë, duke sjellë përmes punimeve të tyre kalanë, godinat muzeale dhe objektet karakteristike të trashëgimisë kulturore.
Këto krijime synojnë jo vetëm ruajtjen artistike të identitetit të Gjirokastrës, por edhe përcjelljen e vlerave të saj tek vizitorët dhe turistët që e njohin qytetin përmes historisë dhe arkitekturës së veçantë.
Studentët e përfshirë në këtë projekt tregojnë se frymëzimin për punimet e tyre e kanë marrë edhe nga letërsia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, veçanërisht nga përshkrimet e qytetit në veprën “Kronikë në gur”.
“Unë e kam lexuar ‘Kronikë në gur’ të Ismail Kadaresë dhe më vjen ndërmend sesi ndërtoheshin çatitë karakteristike ose sesi ishte ky qytet i gurtë. Tani që ne jemi duke e ndërtuar në miniaturë, të jep një emocion të veçantë dhe rikthen idenë që ke krijuar më parë për qytetin”, shprehet studenti Andi Sina.
Për krijuesit e rinj, sfida kryesore është që përmes materialeve të përdorura të përcillet sa më realisht ndjesia e gurit dhe karakteri i veçantë i ndërtesave gjirokastrite.
“Është shumë emocionuese sesi ti e percepton gurin nëpërmjet butaforisë dhe përpiqesh ta përcjellësh atë emocion përmes artit të aplikuar. Qëllimi ynë është që kur njerëzit t’i shohin këto punime, të mos duken thjesht si materiale të përpunuara, por të japin idenë e një ndërtese të vërtetë të gurtë gjirokastrite”, thotë Sina.
Edhe studentët e tjerë e shohin këtë proces si një mënyrë për të kuptuar më thellë vlerat e arkitekturës tradicionale të qytetit.
“Është shumë interesante që arrin ta dallosh më mirë vlerën që këto godina karakteristike kanë, pasi prek materien dhe përpiqesh të kuptosh më shumë arkitekturën e tyre. Përmes këtyre punimeve tregojmë disa fragmente të rëndësishme të Gjirokastrës dhe përpiqemi t’ua përcjellim turistëve vlerat që ky qytet mbart”, shprehet studentja Rabi Çollaku.
Punimet artistike shërbejnë si një tjetër mënyrë promovimi për Gjirokastrën, duke bashkuar artin, historinë dhe trashëgiminë kulturore. Qyteti i gurtë, i cili prej vitit 2005 është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, vijon të tërheqë mijëra vizitorë falë arkitekturës unike dhe historisë së tij të pasur.