Arsyeja pse koncerti i West nuk duket më si koncert por si antimiting

Koncerti i Kanye West nuk është një ngjarje që ngjall debat vetëm për shkak të emrit të artistit. Debati i vërtetë lind nga koha, konteksti dhe mënyra se si një aktivitet i tillë paraqitet në një Shqipëri të përfshirë nga tensione të forta politike dhe shoqërore. Nuk është muzika ajo që shtyn njerëzit të bëjnë pyetje. Janë rrethanat.

Një vend ku qytetarët protestojnë, ku besimi te institucionet është shkatërruar , ku largimi i të rinjve vazhdon me ritme alarmante dhe ku kultura shqiptare mbijeton me fonde simbolike, zgjohet papritur me një spektakël gjigant, i cili paraqitet si triumf kulturor pa u shoqëruar me një shpjegim të qartë publik mbi organizimin dhe financimin. Në çdo demokraci normale, transparenca nuk është luks, por detyrim. Kur ajo mungon, lind dyshimi. Dhe kur dyshimi nuk sqarohet, ai fillon të jetojë jetën e vet.

Pushteti modern e ka kuptuar prej kohësh se njerëzit nuk sundohen vetëm me ligje. Ata sundohen edhe me imazhe. Guy Debord e quante këtë "shoqëria e spektaklit", ku realiteti zëvendësohet nga fotografia e tij, ndërsa perceptimi bëhet më i rëndësishëm se e vërteta. Shqipëria jonë, fatkeqësisht, ka filluar ta njohë mirë këtë filozofi. Këtu çdo problem kërkon një ekran, çdo krizë një ceremoni dhe çdo dështim një shfaqje.

Në këtë mënyrë, koncerti nuk paraqitet më si koncert. Ai merr funksionin e një deklarate politike pa folur politikisht. Është një fotografi që synon të thotë: shikoni sheshin plot, shikoni njerëzit që këndojnë, shikoni një vend që argëtohet. Dhe kështu krijohen dy Shqipëri paralele: njëra që proteston dhe tjetra që feston. Njëra që kërkon llogari dhe tjetra që prodhon imazhin e normalitetit. Ky kontrast nuk është rastësi. Ai është teknikë komunikimi e Edi Ramës.

Faik Konica do ta kishte vështruar këtë me buzëqeshjen e tij therëse. Ai dinte të dallonte çastin kur pushteti fillonte të kujdesej më shumë për dekorin sesa për shtëpinë. Sepse dekori është gjithmonë më i lirë se riparimi i themeleve. Mjafton të ndizen projektorët dhe për pak orë plasaritjet nuk duken më.

Por historia është mizore me ata që ngatërrojnë skenën me realitetin. Asnjë koncert nuk ka shuar ndonjëherë një krizë morale. Asnjë spektakël nuk ka zëvendësuar drejtësinë. Asnjë artist, sado i famshëm të jetë, nuk mund të mbajë mbi supe barrën e dështimeve të një qeverisjeje. Muzika mund të krijojë emocione; nuk mund të krijojë besim institucional.

Në këtë pikë lind edhe një dimension tjetër i debatit. Kanye West është një figurë artistike me ndikim të jashtëzakonshëm, por gjithashtu një personazh që ka shkaktuar polemika të mëdha ndërkombëtare për deklaratat e tij mbi hebrenjtë, deklarata që janë dënuar gjerësisht dhe kanë sjellë pasoja të rëndësishme për karrierën e tij. Pikërisht për këtë arsye, ftesa ndaj tij nuk mund të trajtohet si një akt kulturor pa kontekst. Çdo shtet ka të drejtë të ftojë artistë, por ka edhe detyrimin të kuptojë simbolikën që mbart çdo zgjedhje.

Këtu paradoksi bëhet edhe më i madh. Një pushtet që ka investuar shumë në ndërtimin e një imazhi ndërkombëtar si mbrojtës i tolerancës dhe dialogut rrezikon të përballet me pyetjen nëse zgjedhjet e tij kulturore janë në përputhje me këtë krijesë. Nuk është artisti ai që duhet të japë shpjegime për politikën shqiptare. Janë institucionet shqiptare që duhet të shpjegojnë zgjedhjet e tyre.

Por ndoshta problemi nuk është fare Kanye West. Ai është vetëm personazhi i një skene që është shkruar nga dikush tjetër.

Problemi është mënyra sesi pushteti i Edi Ramës e ka ngritur spektaklin në nivel filozofie qeverisëse. Çdo gjë duhet të jetë ngjarje. Çdo gjë duhet të jetë performancë. Çdo gjë duhet të jetë fotografi. Qytetari nuk trajtohet më si pjesëmarrës në demokraci, por si spektator që duhet të duartrokasë. Kur nuk duartroket, duhet të shpërqendrohet. Kur nuk bindet, duhet të mahnitet.

Kjo është arsyeja pse koncerti i Kanye c West  nuk duket më si koncert. Ai ngjan me një antimiting. Jo në kuptimin klasik të fjalës, por si kundërvënie simbolike ndaj zërit të protestës. Në njërën anë qytetarët që kërkojnë përgjegjësi; në anën tjetër një shesh që prodhon imazhin e gëzimit kolektiv. Pastaj kamerat zgjedhin këndin e duhur dhe rrjetet sociale bëjnë pjesën tjetër. Politika e Edi Ramës  nuk fiton vetëm me vota; ajo përpiqet të fitojë edhe me fotografi.

Nëse kjo është rastësi, ajo meriton të sqarohet. Nëse nuk është rastësi, atëherë kemi të bëjmë me një filozofi pushteti që e konsideron perceptimin më të rëndësishëm se realitetin.

Dhe pikërisht këtu fillon analiza psikologjike e një regjimi. Ka pushtete që kërkojnë të ndërtojnë institucione. Ka pushtete që kërkojnë të ndërtojnë rrugë. Ka edhe pushtete si regjimi i Edi Ramës  që ndërtojnë vetëm skena. Sepse skena është vendi ku njeriu që ka nevojë të adhurohet ndihet më i sigurt se në sallën e gjyqit të historisë.

Ndoshta kjo është edhe metafora më e saktë e kohës sonë. Një pushtet që investon gjithnjë e më shumë në emocionin e çastit dhe gjithnjë e më pak në kujtesën afatgjatë të shoqërisë. Por kujtesa   nuk ruan fishekzjarrët.  

Prandaj debati për këtë koncert nuk është debat për muzikën. Është debat për filozofinë e qeverisjes. Është debat për raportin midis kulturës dhe propagandës, midis artit dhe marketingut politik, midis transparencës dhe errësirës. Sepse një shoqëri nuk matet nga madhështia e skenave që ngre, por nga aftësia për t'u përgjigjur pyetjeve që qytetarët i drejtojnë pushtetit.

Dhe kur një pushtet fillon t'i trembet më shumë pyetjeve sesa heshtjes, ai zakonisht ndez dritat e spektaklit.