FOTO/ U vra me breshëri plumbash në Dukagjin, ja kush është Aleksandër Koçeku
Vrasja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku në zonën e Dukagjinit po hetohet nga policia me në fokus një konflikt të vjetër familjar të vitit 2017.
Dyshimet paraprake lidhen me një hakmarrje të mundshme pas ekzekutimit të Angjelin Shkambit, ngjarje për të cilën u dënua vëllai i viktimës së sotme.
Koçeku u vra me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e së shtunës në fshatin Lin, përgjatë aksit Kir-Prekal. Ai u gjet i pajetë brenda automjetit të tij pasi një banor i zonës konstatoi makinën që kishte humbur drejtimin dhe njoftoi policinë.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes rezultoi se ndaj 40-vjeçarit ishte ngritur një pritë. Autorët, ende të paidentifikuar, dyshohet se kishin dijeni për lëvizjet e tij dhe kanë pritur momentin e përshtatshëm për të kryer atentatin.
Hetuesit verifikojnë lëvizjet e viktimës dhe lidhjet me konfliktin e vjetërZona e thellë malore ku ndodhi ngjarja dhe mungesa e kamerave të sigurisë e kanë vështirësuar punën e hetuesve. Për këtë arsye, policia po analizon tabulatet telefonike dhe të dhënat e komunikimeve që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë.
Grupi hetimor është rikthyer në vendin ku ndodhi atentati në Dukagjin dhe pritet të marrë në pyetje familjarë të Aleksandër Koçekut për të mbledhur më shumë të dhëna mbi konfliktin e vitit 2017.
Në atë kohë, vëllai i viktimës, Artan Koçeku, vrau me armë zjarri Angjelin Shkambin, pasi e kishte thirrur në një takim. Sipas dosjes hetimore, konflikti lidhej me një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe me një çështje personale që kishte përfshirë familjet.
Hetimet shkojnë edhe te familja e viktimës së vitit 2017Policia po verifikon edhe personat e afërt me Angjelin Shkambin, përfshirë disa familjarë që sipas burimeve jetojnë jashtë Shqipërisë. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia e një hakmarrjeje të organizuar pas disa vitesh nga ngjarja e mëparshme.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku rezulton se ka qenë person i njohur për policinë e Shkodrës. Burime hetimore bëjnë me dije se ai është verifikuar edhe për raste të tjera, përfshirë dyshime për sulme ndaj punonjësve të policisë, një me armë zjarri dhe një me lëndë plasëse.
Gjithashtu, sipas të dhënave të deritanishme, aktiviteti i tij dyshohet se lidhej edhe me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit që riktheu në vëmendje konfliktet e vjetra në zonën e Shkodrës.