Detaje të reja nga vrasja në Vorë - 50-vjeçari u ekzekutua, dyshohet se u qëllua me snajper

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e ndodhur pas mesnatës në fshatin Bërxullë, Vorë, ku humbi jetën 50-vjeçari Edmond (Ali) Sula.

Sipas burimeve hetimore, viktima ishte duke u kthyer në banesën e tij kur u qëllua me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend. Autorët dyshohet se e kanë goditur në momentin kur ai po afrohej pranë shtëpisë.

50-vjeçari nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë.

Ai, pothuajse çdo ditë qëndronte tek një kapanon në lagjen ku jetonte dhe ku kryente takime me të njohur por edhe persona që interesoheshin për shit-blerje pronash.

Sula sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe teksa i drejtohej derës së banesës, një predhë i vjen nga pas, duke e goditur në zemër, dhe shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna teksa burimet bënë me dije se dyshohet të jetë qëlluar ose me pushkë me dylbi ose snajper.

 “Ka qenë tek goditje fatale nga pas, sa ka zbritur nga makina që e ka prekur në zemër duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, është qëlluar nga një distancë e konsiderueshme”, tha një burim policor, shpjegon Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivin e krimit, ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit apo autorëve.

Paraprakisht po hetohet rreth aktivitetit të tij me pronat, ku merrej me shitblerjen e tyre, por nuk rezulton me precedent penal në Shqipëri, por ka dhe një tjetër pistë hetimi është edhe e shkuara e tij jashtë vendit, pasi jo zyrtarisht në strukturat ligjzbatuese kanë mbërritur të dhëna për precedent në një nga vendet e Bashkimit Europian.