4.2 mln euro nga fondi i emergjencës/ Protestuesi- Ramës: Je xhepisti që u vjedh shqiptarëve bukën
Në ditën e 42-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë, protestuesit kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
Gjatë tubimit, një prej aktivistëve mori fjalën dhe hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit, duke iu referuar shumës prej 4 milionë eurosh që, sipas tij, janë dhënë nga fondi i emergjencës për koncertin e Kanye West. Ai deklaroi se një veprim i tillë përbën shpërdorim të parave të qytetarëve në një kohë kur, sipas tij, vendi përballet me probleme të shumta.
Në fjalën e tij, aktivisti e krahasoi kryeministrin me një "xhepist", duke pretenduar se fondet publike po u merren qytetarëve për t'u përdorur në projekte që nuk u shërbejnë interesave të tyre.
"Na sjell këtu me para nga fondi i emergjencës një neonazist. A e dini si ngjan? Është si xhepisti i autobusëve që i vjedh fukarasë lekët e fundit që ka për bukë. Edi Rama, o xhepist! Edi Rama, o xhepist!", u shpreh aktivisti mes brohoritjeve të protestuesve.
Protesta para Kryeministrisë vijon prej 42 ditësh, ndërsa pjesëmarrësit deklarojnë se do të vazhdojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesave të tyre, me fokus kryesor dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.