VIDEO/ Haçka: Gjykata Kushtetuese nuk donte të na pranonte padinë për 4 mln eurot e Ramës për koncertin e YE
Në protestën e 42-të radhazi, ku kërkohet dorëheqja e Edi Rama, ka marrë fjalën edhe Florian Haçka, i cili tha se kishte ardhur nga Zvicra së bashku me familjen për t’iu bashkuar protestuesve.
Haçka falënderoi qytetarët që prej javësh po protestojnë, duke i cilësuar ata si ‘heronjtë’ e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim. Ai deklaroi se protestat kundër qeverisë po zhvillohen edhe jashtë Shqipërisë dhe se mobilizimi i qytetarëve do të vijojë edhe në javët e ardhshme.
Haçka tha se ishte përmendur nga kryeministri Edi Rama në një video disa ditë më parë, duke e akuzuar qeverinë se përmes këtyre reagimeve synon të frikësojë dhe intimidojë qytetarët. Ai u bëri thirrje protestuesve të mos tërhiqen dhe të vazhdojnë tubimet.
Gjatë fjalës së tij, ai foli edhe për padinë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me fondet prej 4 milionë eurosh të akorduara nga fondi i emergjencës për koncertin e Kanye West.
‘Përshëndetje të gjithëve!
Unë quhem Florian Haçka dhe sot kam ardhur nga Zvicra me familjen direkte në protestë. Ju jeni heronjtë e të gjithëve ne. Nuk i kemi lënë vend të botës pa dalë në protesta.
Sot ka pasur protesta gjithandej, do të ketë në javët në vazhdim dhe motivimi jonë jeni të gjithë ju këtu. Para 10 ditësh ky kryeministri i çnderuar e njohu dhe bëri një video për mua 7 minuta e gjysmë, siç ka bërë për shumë njerëz që dalin këtu.
Dhe qëllimi i tyre është intimidimi i qytetarëve, kështu që unë e ndjej detyrë qytetare që sot jam këtu t'i them që nuk kemi frikë fare!
As nga Edi Rama, as nga Taulant Balla, as nga Erion Veliaj dhe të gjithëve që e kanë shpërndarë videon si kotele. I themi që nuk kemi frikë policisë. Këtu jemi, përballë këtu do jemi!
Mos u intimidoni asnjë nga ju! Këta tmerrohen dhe frikësohen kur njerëz të lirë dalin dhe protestojnë përditë, kështu që ju jeni heronjtë tanë.
Të gjithë duhet të bëjmë çfarë mundemi.
Organizata ku unë bëj pjesë, Diaspora për Shqipërinë e Lirë, në datën 9 ka bërë një padi urgjente në Gjykatën Kushtetuese për 4 milionë eurot nga fondi i emergjencës që ky po i jep një privati.
Dhe Gjykata Kushtetuese për turpin e saj e nxori si të paplotë një orë e gjysmë përpara se të mbyllej orari zyrtar dje, por ne për 40 minuta ia plotësuam dokumentet.
Kështu që ne presim që të hënën të merret vendimi, të merret vendimi që ato para mos lëvrohen. T'i tregojmë shtetit shqiptar që qytetarët ngrihen me hapa ligjorë dhe nuk kanë asnjë frikë të vënë përpara emrin. Koha e frikës kaloi! Sot është dita e 42-të dhe ju falënderoj nga zemra të gjithëve.
Ju lutem, ju lutem merrni për dore miqtë tuaj, familjarët tuaj. Nuk duhet të lejojmë që të bjerë numri, nuk po dalin, pikërisht kur po bie numri, duhet të dalim të gjithë!
Kur del nëna ime që është e pamundur, kur dalin nëna të tjera, kur dalin fëmijë të vegjël, mosha mesatare nuk ka asnjë arsye mos të dalë këtu.
Ju lutem bashkohuni, bashkimi bën fuqinë. Ramës t'i japim dorëheqjen dhe ta hedhim nga ai i dreq posti që po e mban me padrejtësi!’, tha Florian Haçka gjatë fjalës së tij.