'Albanian Files, arma e krimit'/ E reja në protestë: Anuloni ligjin që po prek zonat e mbrojtura
Në fjalën e saj në protestën e 42-të, e reja u shpreh se qytetarët kërkojnë ndryshim të thellë politik dhe një shkëputje nga modeli aktual i qeverisjes. Ajo kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike njëvjeçare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, pa ndikim nga bandat apo pushteti.
Gjatë fjalimit të saj, ajo theksoi se shqiptarët duhet të distancohen nga çdo formë përçarjeje fetare apo krahinore dhe të bashkohen rreth kërkesave të protestës. Sipas saj, vendi ka nevojë për kufizim të mandateve politike dhe për fundin e cikleve të gjata në drejtimin e shtetit.
E reja kërkoi gjithashtu anulimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe ndryshimeve në zonat e mbrojtura, duke pretenduar se këto politika po dëmtojnë pronat publike dhe interesin e qytetarëve. Në përfundim, ajo bëri thirrje për një "kontratë të re sociale" mes shtetit dhe shoqërisë, ku qeverisja të jetë më e përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve.
Fjala e saj:
Dua që edhe nga këtu të distancohemi nga çdo deklaratë që nxit përçarje fetare, që nxit përçarje krahinore apo përçarje të çdo lloji. Shqiptarët janë të gjithë shqiptarë dhe janë këtu për të thënë: Dorëheqje! Dorëheqje!
Së dyti, shqiptarët për 42 ditë kanë thënë dhe kanë kërkuar një qeveri teknike njëvjeçare, që do ta çojë vendin në zgjedhje që nuk vidhen as nga bandat dhe as nga qeveritarët. Duam dorëheqje! Dorëheqje!
Së treti, jemi lodhur për më shumë se 3 dekada nga dinozaurë që bëhen ministra, kryebashkiakë, kryeministra dhe presidentë. Duam kryeministër vetëm me dy mandate gjatë gjithë jetës politike!
Në 42 ditë kemi përmendur me emra të gjithë ata me të cilët kemi qeshur si kllounë, por që na janë bërë investitorë strategjikë dhe kanë marrë të gjitha pronat tona publike. Jemi këtu për të kërkuar anulimin e ligjit për investitorët strategjikë. Anuloni ligjin!
Fiks një vit më parë nga sot, ndërkohë që ne jemi këtu në shesh, në Theth shembeshin bujtinat e atyre malësorëve të ndershëm nga ky pushtet i Edi Ramës. Më pas, ai na prezantoi "Paketën e Maleve" si shpëtim. Njësoj si investitorët strategjikë, "Paketa e Maleve" është aty për të grabitur pronat tona, malet tona. Kërkojmë: Anuloni ligjin!
Sikur të mos mjaftonte fakti që Edi Rama dhe Blendi Gonxhja sollën një fashist në Shqipëri, i ndërtuan një stadium, i falën 4 milionë euro, i shitën edhe biletat, sot, po sot, Edi Rama i ka dhuruar librin "Albania Files".
"Albania In Fals" është arma e krimit me të cilën Edi Rama ka masakruar pronat publike dhe ka dëmtuar zonat e mbrojtura. Kërkojmë në mënyrë urgjente anulimin e ndryshimeve në zonat e mbrojtura! Anuloni ligjin!
Dhe së fundi, nga ky shesh, për 42 ditë, është artikuluar një nga thirrjet më të fuqishme: një kontratë e re sociale mes shtetit dhe shoqërisë!
Një kontratë ku shteti nuk është më represiv, ku nuk na nxjerr nga shtëpia me gaz lotsjellës, ku nuk na fut në burg për një fjalë, por bëhet përfaqësues i halleve tona, i problemeve tona dhe i kërkesave tona.
Kërkojmë një kontratë të re!