VIDEO/ Fermeri: Rama po ua merr tokat shqiptarëve dhe po ua jep të huajve, të shkojnë para drejtësisë

Një fermer ka lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës gjatë protestës së 42-të radhazi ku kërkohet dorëheqja e qeverisë. Ai ka kritikuar politikat për bujqësinë dhe menaxhimin e tokave bujqësore. Protestuesi u shpreh se fermerët janë diskriminuar nga qeveria dhe se, në vend të mbështetjes financiare për të përmbyturit dhe prodhuesit vendas, sipas tij po ndërmerren iniciativa që favorizojnë të huajt.

Sipas protestuesit, qindra fermerë që kanë kërkuar të marrin tokë bujqësore me qira për të zgjeruar aktivitetin e tyre janë penguar nga institucionet. Ai kritikoi gjendjen e bujqësisë shqiptare, duke thënë se vendi është kthyer në një importues të produkteve bujqësore.

Sipas tij, qeveria nuk ka mbështetur fermerët me subvencione dhe dëmshpërblime të mjaftueshme, ndërsa akuzoi institucionet për propagandë.

‘Vij nga ata fermerët e përmbytur, nga ata fermerët e diskriminuar nga kjo qeveri, nga ata fermerët që ky kryeministër i ka shpallur armiq të vendit!

Në vend se ky të dëmshpërblente fermerët e përmbytur, shkoi edhe i jep me një firmë 4 milionë euro një këngëtari që as i hyn në punë kurrkujt këtu!

Nga ata fermerët që ky kryeministër i ka shpallur armiq edhe i ka dënuar në protestat që kemi bërë edhe përpara.

Nga ata fermerët që kanë kërkuar të investojnë në Shqipëri, kanë kërkuar të marrin tokat bujqësore me qira, por jo, ky qen i përzë, për t'ua dhënë shtetasve të huaj, sepse ky është anti-shqiptar!

Janë mbi 300 fermerë që kanë aplikuar për të zgjeruar biznesin e tyre te Ministria e Bujqësisë, por jo, i ka skualifikuar.

Po bëhen mbi 3 vite që ky i zvarrit, i kërkon dokumenta shtesë, vetëm sepse në mesin e këtyre protestave, ky çon një projektligj që tokat bujqësore t'i kalojnë shtetasve të huaj! Atëherë çfarë na mbetet ne këtu?

Çfarë na mbetet ne për të bërë në këtë vend? Ky duhet t'i japë dorëheqjen një orë e më para, të shkojë para drejtësisë, bashkë me të gjithë qeverinë e tij, duke filluar nga ministrja e Bujqësisë, që të gjithë edhe të shkojnë para drejtësisë! Kjo qeverisje anti-shqiptare nuk janë për këtë vend!

Ministri i Bujqësisë është kthyer në Ministri të Bujqësisë së importit! Ministri e Beogradit, jo e Shqipërisë! Sot ne jemi kthyer në një vend importues. Importojmë të gjitha drithërat sepse ky e masakroi bujqësinë shqiptare.

E masakroi me një projekt që nisi që në fillim. Nuk i ka dëmshpërblyer, nuk i ka subvencionuar, edhe sot bashkë me ministren e Financave që dilte në terren, bënte propagandë se do të dëmshpërblente, do të rimbursonte me 10% faturat e TVSH-së, ku i gjithë buxheti shkonte 13 milionë euro.

Po si mund të bësh propagandë me 13 milionë euro, kur ti jep me një firmë 4 milionë euro një personi që vjen e këndon e nuk jep asnjë të ardhur në Shqipëri?! Kështu që, fundi i këtyre duhet të jetë dorëheqja edhe para drejtësisë, që të gjithë!’, tha protestuesi gjatë fjalës së tij.