U hodh në lumë për të shpëtuar djalin, babai 38-vjeçar humb jetën në Itali
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 38-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në lumin Tagliamento për të shpëtuar djalin e tij 5-vjeçar, i cili ishte marrë nga rryma e ujit.
Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, ku familja me origjinw nga Azerbajxhani ndodhej pranë lumit. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë persona në vështirësi në ujë.
Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një murator me origjinë nga Azerbajxhani, i cili jetonte në Pontebba. Ai u hodh në lumë pasi djali i tij 5 vjeç e gjysmë u mor nga rrjedha e ujit.
Babai arriti ta nxirrte të birin në breg, ndërsa më pas u zhduk vetë në ujërat e lumit.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, zhytësit dhe një helikopter, të cilët nisën kërkimet. Pas disa orësh, trupi i 38-vjeçarit u gjet në anën tjetër të lumit.
Djali i tij u transportua me helikopter në spitalin e Udines pasi kishte pësuar probleme nga uji, por mjekët bënë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.