PD mbledh Këshillin Kombëtar, për të zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj
Partia Demokratike ka njoftuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, e cila do të zhvillohet të mërkurën, më 15 korrik, në orën 18:00.
Njoftimi është bërë nga kryetarja e Këshillit Kombëtar, Julia Emiri, përmes një mesazhi drejtuar anëtarëve, ku ajo i falënderon për mbështetjen dhe shpreh angazhimin për bashkëpunimin në drejtimin e strukturave të Partisë Demokratike.
Në rendin e ditës është parashikuar zgjedhja e ekipit që do të ndihmojë kryetarin e PD-së në drejtimin e partisë. Konkretisht, Këshilli Kombëtar do të votojë për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të Partisë Demokratike, Sekretariatit të PD-së, si edhe Komisionit të Apelimit.
Gjithashtu, në mbledhje pritet të diskutohen edhe çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe funksionimin e forcës më të madhe opozitare.
Mesazhi i Julinda Emirit drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar:
Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar!
Së pari, ju falenderoj dhe njëherë bashkarisht për mbështetjen dhe ju shpreh mirënjohjen, respektin dhe përkushtimin tim absolut për punën tonë të përbashkët, që uroj të na shkojë sa më mbarë.
Së dyti, ju njoftoj që ditën e mërkurë, më datë 15 Korrik, ora 18:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me rend dite:
1-Zgjedhja e ekipit që do të ndihmojë Kryetarin në drejtimin e Partisë; konkretisht:
a-)Sekretarit të Përgjithshëm;
b-)Nënkryetarëve të PD-së;
c-)Sekretariatit të PD-së;
d-)Komisionit të Apelimit të PD-së.
2-Të tjera.