Kanye West dhe protestat/ Burimi: Kriza politike e Ramës po dëmton imazhin e Shqipërisë në botë

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Genc Burimi u shpreh se vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar koncertin e reperit kontrovers Kanye West me fonde publike po i shkakton Shqipërisë një dëm të rëndë moral dhe diplomatik.

Sipas tij, ndërsa një sërë shtetesh evropiane kanë anuluar koncertet e artistit për shkak të deklaratave të tij pro-naziste dhe përdorimit të simboleve naziste, Shqipëria ka zgjedhur të veprojë në drejtimin e kundërt, duke paguar për ta sjellë në vend.

 Burimi theksoi se ky vendim bie ndesh me historinë e shqiptarëve, të njohur për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai u ndal edhe te protestat kundër qeverisë, për të cilat tha se kanë kaluar tashmë nga një lëvizje me fokus ambiental në një revoltë të hapur politike, ndërsa, sipas tij, edhe mediat ndërkombëtare po e lidhin gjithnjë e më shumë situatën në Shqipëri me akuzat për korrupsion, përqendrimin e pushtetit dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pjesë nga deklarata:

Kur Edi Rama thotë se u detyrua ta mbajë këtë koncert dhe ta financojë për t’i evituar turpin Shqipërisë, në fakt, duke e mbajtur këtë koncert, ai po e fut Shqipërinë në turp. Ai po i bën një dëm moral të pallogaritshëm imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët njihen botërisht si mbrojtës fanatikë të hebrenjve.

Dhe këtë ta nënkupton edhe shtypi ndërkombëtar sot, sepse në momentin që po zhvillohet ky koncert, janë anuluar katër-pesë koncerte në mbarë Evropën. Në Londër u anulua. Në Marsejë të Francës u anulua. Në Bazel të Zvicrës u anulua. Para dy javësh u anulua në Poloni dhe, në datën 25 korrik, u anulua edhe në Pragë. Vetëm Shqipëria e mbajti.

Arsyeja më domethënëse që kam dëgjuar për anulimin ishte ajo e Ministres së Kulturës së Polonisë, e cila tha: "Si mund të lejojmë ne, në këtë tokë ku nazistët bënë atë që bënë me hebrenjtë, të mbahet koncerti i dikujt që thotë 'Heil Hitler'?"

Këto vende i anuluan koncertet dhe, madje, me siguri kanë paguar edhe gjoba për anulimin. Kurse në Shqipëri, Rama paguan që ai të vijë. I gjithë Perëndimi, lindor e perëndimor, pranon të paguajë gjoba për t’i anuluar koncertet, kurse ky pranon të paguajë që ai të vijë. Shikoni hendekun e madh moral. Është i jashtëzakonshëm, është i pakuptueshëm.

I vetmi vend tjetër ku u mbajt një koncert ishte Holanda, në një qytet që quhet Arnhem, kur shumica e Parlamentit holandez votoi që koncerti të mos lejohej. Pse u mbajt aty? Sepse kryetari i bashkisë së atij qyteti është një mysliman, Ahmed Marcouch, ish-drejtues i organizatave islame në Holandë. Kjo ishte arsyeja pse u mbajt, por klasa politike holandeze nuk e donte.

Nuk ka vend sot në Evropë që ta pranojë këtë personazh, ndërkohë që ne përkujtojmë 80-vjetorin (1945–2025) e fitores mbi nazizmin, ndërsa ai bënte bluza me kryqin nazist dhe këngë me thirrjen "Heil Hitler".

A është në vete Edi Rama? A ka dy gramë mend në kokë për këtë dëm të pallogaritshëm moral, për këtë turp, për këtë çnderim që u bën shqiptarëve?

Pastaj, çështja e 4 milionë eurove nuk është... kjo është penale. Është penale, sepse firmosi përdorimin e pronës së pronarit dhe i bëjnë proces. Kurse ky nuk është në mallin e vet. Ato 4 milionë janë taksat e qytetarëve. Pa pyetur njeri, vendos t’i shpërndajë kështu si bonbone. Bonbone, sepse ishte premtuar që çdo humbje do të mbulohej, ashtu siç u bë te porti i Vlorës, ashtu siç po bëhet me inceneratorët.

Nuk di nga ta kapësh këtë personazh, por sot është i mbuluar me turp. Deri tani ngurroi, shkoi në Izrael, shkoi në Knesset. Izraeli i hapi dyert një shqiptari në Knesset dhe ky, gjashtë muaj më vonë, tradhton Izraelin. Tradhton Izraelin. Turp i tij.

Shikoni, i gjithë pasqyrimi... Në fillim, për një farë kohe, siç themi shpesh se çdo gjë që ndodh në ekonominë amerikane vjen në Evropë me pak vonesë, kështu ndodhi edhe me këtë protestë.

Pse e them këtë? Sepse në fillim kjo protestë lindi për arsye ambientaliste, pra për atë imazh që pamë në Zvërnec, me ata militantë që tërhiqeshin zvarrë dhe me atë që u quajt "revolucioni i flamingove". Edhe vala e parë e artikujve gjatë qershorit, në mediat ndërkombëtare, ishte e fokusuar te Zvërneci, te Sazani dhe te "revolucioni i flamingove".

Ndërkohë, në Shqipëri protestat tashmë kishin kaluar te kërkesa reale, që është dorëheqja e Ramës. Pra, Zvërneci ishte një pretekst, një shkëndijë, njësoj si në Pranverën Arabe, ku shkëndija nisi nga një shitës ambulant në Tunizi, të cilit iu konfiskua malli dhe që më pas i vuri flakën vetes. Ajo ishte thjesht një shkëndijë, ndërsa më pas nisi revolucioni i madh që pamë në vendet e Magrebit.

Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Filloi me Zvërnecin si shkëndijë dhe tani është kthyer në një protestë politike. Por mediat ndërkombëtare e pasqyrojnë këtë zhvillim me vonesë. Tani artikujt nuk janë më për Zvërnecin dhe flamingot rozë. Tani artikujt flasin se në Shqipëri denoncohet pushteti absolut i Ramës, se kërkohet dorëheqja e tij dhe se denoncohet korrupsioni.

Në këtë prizëm komentohet edhe ardhja e Kanye West, që sipas tyre tregon edhe një herë pse shqiptarët ankohen: sepse gjithçka vendoset nga një person, pa pyetur askënd, dhe sepse në një vend kaq të varfër shpenzohen para publike për një artist që refuzohet në pjesën më të madhe të Evropës.

Pra, edhe një herë, në këtë moment jemi në një fazë kur mediat ndërkombëtare kanë kaluar në pasqyrimin e kërkesave reale politike të protestës, të cilat nuk janë më vetëm ambientaliste. Dhe kjo ka rëndësi, sepse në këtë moment fillon edhe puna e kancelarive...