SYRI TV/ Detaje të reja nga vrasja në Laç e Ilir Gjinit, policia gjen armë në vendin e krimit
Një armë e dytë zjarri është gjetur nga policia pranë vendit ku, mbrëmjen e 9 korrikut, u vra Ilir Gjini në Laç. Arma u zbulua pas një kontrolli të imtësishëm nga grupi hetimor, i cili u orientua edhe nga deklarimet e personave të shoqëruar në polici. Arma e sekuestruar është një revolver, i cili është dërguar për ekspertizë balistike. Për vrasjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti.
Detaje të reja kanë dalë nga hetimi lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut në Laç, ku u ekzekutua 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrin Lika. Sipas burimeve, viktima dhe autori i dyshuar, Emiljan Suti, kishin pasur një konflikt për motive banale rreth një muaj më parë.
Gjithashtu, mësohet se disa muaj më parë viktimës i kishte ndërruar jetë bashkëshortja, e cila ishte edhe shtatzënë. Ndërkohë, mbrëmjen e ngjarjes, viktima dhe autori i dyshuar janë parë në qendër të Laçit, ku dyshohet se kanë pasur një debat verbal për motive që ende nuk janë sqaruar.
Gjatë kontrolleve të imtësishme pranë vendit të ngjarjes, grupi hetimor zbuloi një revolver, i cili është sekuestruar dhe dërguar për ekspertizë balistike. Ekspertiza pritet të përcaktojë nëse arma është përdorur gjatë ngjarjes, kujt i përket, si dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri.
Sipas pistës kryesore të hetimit, dyshohet se viktima ishte paraqitur e armatosur pranë banesës së autorit të dyshuar, por grupi hetimor i ngritur për këtë vrasje po verifikon gjithashtu nëse në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë, përveç autorit të dyshuar dhe viktimës.
Për vrasjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.