Policimi i internetit si tregues i shpërfytyrimit final të Edi Ramës!
Nga Belind Këlliçi:
Nëse do të ishim vend normal do të kishte hetim për disa biznesmenë, klientë dhe miq të Edi Ramës, të cilët kanë marrë favore nga qeveria, asete dhe prona publike dhe në këmbim sigurojnë vota me para ose me presion, dhe kur bosi ka nevojë blejnë bileta me shumicë e sulmojmë me çdo mjet që munden protestuesit.
Po ne jemi në një gjendje aq anormale, sa policia heton njerëzit që bëjnë online komente të papëlqyeshme për këtë soj biznesmenësh. Dhe për të vënë në skenë këtë akt të turpshëm, del vetë Kryepolici i vendit, ai që do të duhej t’i shërbente qytetarëve dhe të ishte garant për ta.
Kryepolici shfaqet si kamzhiku i oligarkëve. Padyshim nuk humb kohë Edi Rama të tregojë se është ai pas këtij urdhëri. Del dhe ai publikisht dhe kërkon këtë lloj policimi të internetit.
Vetëm si qëndrime publike këto janë hapa pas në shumë standarde e norma demokratike dhe në aspektin e lirisë së shprehjes.
Imagjino për një moment që Edi Rama ta shtrinte këtë lloj ndërhyrje me policë përshembull edhe për review-të e librave, të kinemase, arkitekturës, teatrit. Dhe të hetonte të gjithë ata që nuk flasin mirë për miqtë e tij, autorët e tij të preferuar.
Nëse Edi Rama fut një këmbë në këtë hapësirë, ai pastaj do të tentojë të vendosë një kontroll të plotë editorial, dhe një censurë në gjithë sferën publike.
Kush do ishte ndryshimi me diktaturën që lamë pas 36 vite më parë. I bie që njerëzit të kenë hapësirë e liri për të shprehur kritikat e tyre vetëm brenda mureve të shtëpisë.
Edhe aty me kujdes, pasi fqinji është patronazhist dhe të bën gjëmën në shtet.
Pas 42 ditësh proteste, sunduesi i Tiranës është shpërfytyruar. Ai nuk arrin më të llogjikojë por vepron me instikte primitive për të mbrojtur karrigen e privilegjet, nga frika e asaj që e pret kur të mos mundet më të pengojë drejtësinë.
Edi Rama po lufton me mjetet më të errëta e më represive ndaj atyre që me letra me format A4 arritën të hedhin në tokë propagandën dhjetra milionë euroshe.
Duke bërë kështu, ai çdo ditë duket edhe më i shëmtuar përpara të rinjve kurajozë që s’kanë ndërmend ta lënë sheshin pa dhënë ai dorëheqjen.