Berisha: Troplinët i japin Ramës 300 mln euro në vit për portin. Pasuritë e sekuestruar nga SPAK janë thërrime
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, hodhi akuza ndaj qeverisë dhe SPAK-ut, duke pretenduar se pasuritë e sekuestruara nga drejtësia janë “thërrime” në krahasim me, sipas tij, përmasat e pastrimit të parave në ndërtim.
Berisha deklaroi se “Klani Troplini ka në administrim të plotë portin e Durrësit” dhe, duke iu referuar burimeve që tha se vijnë nga porti, u shpreh se ky grup “i paguan Edi Ramës 300 milionë euro në vit për portin”. Ai ngriti gjithashtu akuza se persona të lidhur me grupe kriminale vijojnë aktivitetin e tyre pa u prekur nga drejtësia, ndërsa shtoi se krimi, sipas tij, kontrollon institucione shtetërore dhe sistemin e drejtësisë.
FJALA E BERISHËS:
Dajana Haxhiu: Kemi dhe një pyetje të fundit. Zoti Berisha, së fundmi gazetarë të kthyer në agjentë imobiliarë, po stimulojnë pastrimin e parave në ndërtim, bashkë me shoqatën e ndërtuesve dhe një rrjet portalesh. A ka dështuar drejtësia të godasë fenomenin?
Sali Berisha: Kur mendon se janë miliarda, kur mendon se këto kulla kanë arritur të paktën 7 gjer në 8 miliardë të gjitha së bashku, euro, dhe kur mendon se vetëm 20% e tyre dalin nga llogaritë bankare kurse të tjerat nga nëndheu, vetëkuptohet që ato shuma të cilat ka sekuestruar apo ato pasuri që ka sekuestruar SPAK-u, janë thërrime. Janë thërrime.
Unë mund t'ju them ju kaq, po marr Durrësin, po i bie më direkt.
Kompania ‘5D’ ndërton një hotel më të madhin që kam parë unë, më të lartin dhe më të madhin që kam parë unë në Durrës, qelq. Një hotel në qelq i tëri, 20 e sa katësh. Shkon, thonë, tek 70-80 milionë euro ose më shumë.
Asnjë qime floku nuk u lëvizet dhe hoteli vazhdon ndërtohet pavarësisht se Tivari që gjoja e ka të veten se ai thonë është me Olsi Ramën, ai është në burg, u burgos për këtë punë, po ka dalë, ka dalë i liruar.
Një hotel tjetër është tek Shkëmbi i Kavajës. Elvis Doçi me ‘Akorin’. Elvis Doçi është i lirë. Mbretëron në Durrës, bën shantazh njerëzve, kërcënon, po ashtu dhe hoteli vazhdon të ndërtohet. Hoteli Akor. Nuk e prek kush.
Klani Troplini ka në administrim të plotë portin e Durrësit. Burime nga porti thonë se ai paguan Edi Ramës 300 milionë euro në vit për portin që i ka dhënë. Një Troplin tjetër, ku është emëruar?
Që ta dini ju. Është emëruar në Agjencinë e Bregdetit. Po çfarë qenka ky qyqja? Ky ka këtë, ky ka gjobën 10 mijë euro për çdo pronar që duhet të lëshojë licencën për shezllonet për zonën e plazhit, për rërën. Po s'pagove 10 mijë euro nuk merr asgjë.
10 mijë euro dhe me faleminderit, bile se po të jesh demokrat të thotë prit aty, por edhe socialistët, të gjithë i detyrojnë të paguajnë.
Imagjinoni ju 400 e sa kilometra breg dhe plazh, të ndara në mijëra, mijëra, mijëra copa nga 10 mijë euro, se sa milionë bëjnë ato.
Pra nuk ka një, janë ato që kontrollojnë shtetin dhe drejtësinë.