Berisha: Zgjedhjet për nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD bëhen gjysmën e dytë të javës që vjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale se zgjedhjet për nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD do të zhvillohen në gjysmën e dytë të javës së ardhshme.
Berisha sqaroi se kalendari është përcaktuar edhe për shkak të pjesëmarrjes së tij në një aktivitet ndërkombëtar në Bruksel, ku do të marrë pjesë si zëvendëspresident i Internacionales Demokrate të Qendrës.
FJALA E BERISHËS:
Ndërsa një pyetje rikthehemi tek Partia Demokratike. Kur do të zhvillohen zgjedhjet për nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike nga Këshilli Kombëtar? A ka një afat konkret për përfundimin e strukturimit të drejtimit të partisë?
Sali Berisha: Shumë faleminderit për pyetjen. Po, gjysmën e dytë të javës që vjen, meqenëse mua më duhet të jem në Bruksel në një aktivitet ndërkombëtar ku mblidhet Internacionalja Demokrate e Qendrës, organizata më e madhe e partive politike në botë, në të cilën më duhet të shkoj patjetër, sepse siç e dini unë jam zgjedhur aty zëvendëspresident i saj.